Kufizimi i imunitetit, vetëm me ndryshim të Kushtetutës
Konstitucionalisti Niazi Jaho, në një intervistë për "Shqip" ka treguar defektet e politikës shqiptare për mënyrën sesi ajo i deformon ligjet brenda Kuvendit të Shqipërisë. Jaho e ka cilësuar vendimin e Këshillit të Rregullores për kufizimin e imunitetit të një deputeti apo ministri jashtë kompetencave, pasi imuniteti kufizohet vetëm me vendim kushtetues.
Lidhur me heqjen e imunitetit të z. Basha, shumica e deputetëve të pozitës në Këshillin e Rregullores së Kuvendit, edhe pse e konsideruan të pabazuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm, në unanimitet me deputetët e opozitës i rekomanduan Kuvendit të votonte pro dhënies së autorizimit për ndjekje penale. Si e komentoni ju këtë qëndrim?
Pasi u njoha me raportin e Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, ku bëhet fjalë për kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm "Për autorizim për procedim penal ndaj deputetit z. Lulëzim Basha" në aspektin ligjor dhe kushtetues të problemit dhe në përgjigje të pyetjes tuaj, parashtroj objeksionet e mëposhtme:
Së pari: Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet mendoj se i ka kaluar kufijtë e kompetencave të tij. E them këtë, sepse ai, duke i trajtuar një e nga një të gjitha çështjet që përmban materiali shoqërues i dërguar nga Prokurori i Përgjithshëm, arriti në përfundimin se për to nuk kishte të dhëna, prova ose indicie që të provonin "ekzistencën e elementeve të ndonjë vepre penale" dhe si rrjedhim ato "nuk e justifikojnë" dhënien e autorizimit për procedim penal. Ndërsa për sa i përket konkluzionit të nxjerrë nga ekspertimi tekniko-ekonomike, në raport thuhet se ai është "i pazakontë" dhe "i supozuar".
Kjo do të thotë se, Këshilli për Rregulloren në raportin e tij ka bërë vlerësime të karakterit procedural-penal, që kanë të bëjnë ose jo me ekzistencën, ose jo të ndonjë vepre penale, që siç dihet është në kompetencën e këshillit për të konkluduar se ekspertimi tekniko-ekonomik nuk përbën as indicie për dëmin e pretenduar, se të dhënat që trajtohen në këtë ekspertim janë të pasakta dhe të supozuara.
Së dyti: në raportin e këshillit, krahas evidentimit të çështjeve që përmban materiali shoqërues i Prokurorisë së Përgjithshme, jepen konkluzione kategorike se ato janë "të pavërtetuara", "të gabuara", "jo të sakta" etj., se procedurat e ndjekura në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës "kanë qenë tërësisht ligjore dhe transparente"! Mendojmë se nuk ishte në kompetencën e këtij këshilli të shprehej në mënyrë kaq kategorike, në një kohë kur ende nuk kishte filluar ndjekja penale ndaj deputetit Basha. Madje e shikojmë të nevojshme të përmendim se, edhe vetë prokurori që kërkoi autorizimin përkatës u mbështet në disa të dhëna që, sipas tij, legjitonin fillimin e ndjekjes penale, se edhe ai nuk kishte të drejtë të konsideronte plotësisht të vërtetuar çdo të dhënë që përmbante materiali shoqërues. Vetëm fillimi i ndjekjeve penale do të mundësonte mbledhjen e të gjitha provave të mundshme, kryerjen e veprimeve procedurale të mëparshme (që nuk mund të kryheshin para dhënies më para nga Kuvendi të autorizimit) pyetjen e të pandehurit dhe dëshmitarëve, verifikimin e pretendimeve dhe versioneve të ndryshme, ballafaqimeve dhe ekspertimeve të nevojshme etj. Mbas një hetimi të plotë, objektiv (sepse duhet zbatuar parimi i prezunsionit të pafajësisë) dhe të gjithanshme, prokurori mund të vendosë dërgimin e çështjes në gjyq, ose pushimin e saj. Hetimi i një çështjeje penale nuk presupozon dërgimin patjetër të saj në gjykatë.
Së treti: nëse për një çast do të pranohej se këshilli ishte kompetent të vlerësonte ekzistencën ose jo të elementeve të ndonjë vepre penale, të analizonte në detaje çështjen dhe të dilte në konkluzione të tilla kategorike që u përmendën më lart. Logjikisht do të duhej që në raport të rekomandohej rrëzimi i dhënies të autorizimit të ndjekjes penale. Vlen të theksohet se "nuk justifikohet dhënia e autorizimit për procedim penal".
Përse atëherë u vendos t‘i rekomandohej Kuvendit miratimi i kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm?
Justifikimin e gjejmë po në këtë raport. Në të thuhet se "vullneti politik i përfaqësuesve të mazhorancës parlamentare, është shprehur qartësisht dhe publikisht në favor të kufizimit dhe heqjes së imunitetit të çdo zyrtari të shtetit shqiptar kundrejt ndjekjes penale, duke paraqitur dhe një projektligj në Kuvend për një qëllim të tillë". Nga kjo del se zbatimi i këtij vullneti, për shumicën e Këshillit të Rregullores, kishte prioritet edhe në kushtet kur ende nuk ishte miratuar projektligji për kufizimin e imunitetit dhe sidomos kur ende nuk ishte miratuar ndonjë amendament për ndryshimin e nenit 73 të Kushtetutës ku thuhet se: "Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit". Nëse ky vullnet i shumicës, edhe pse i pa ligjëruar, do të praktikohej, si mbledhja e Këshillit të Rregullores edhe ajo e seancës plenare do të kishin karakter fasual, sepse në çdo rast rekomandimi do të ishte një miratim i autorizimit të Prokurorit të Përgjithshëm. I njëjti vendim do të merrej edhe nga Kuvendi. Në këtë rast, natyrshëm do të bëhej pyetja: cili organ do të vihet në mbrojtje të imunitetit të deputetit në ndonjë rast të rrallë kur kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm do të ishte haptazi e padrejtë, ose do të konkludohej se ajo kishte synime politike? Në mënyrë absolute raste të tilla nuk mund të përjashtohen. Derisa neni 73 është në fuqi, deklaratat apo qëndrimet politike nuk e shkarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm nga detyrimi për të kërkuar autorizimin e Kuvendit.
Tërheq vëmendjen fakti se pjesa e raportit ku thuhet se nuk justifikohet dhënia e autorizimit bije ndesh me pjesën ku bëhet fjalë për rekomandimin që i bëhet Kuvendit për të miratuar kërkesën për ndjekje penale. Mendojmë se nuk është e lejueshme që në një dokument zyrtar, siç është edhe ai që ka marrë këshilli në mbështetje të nenit 118 të Kuvendit dhe që i jep atij të drejtën të rekomandojë si miratimin dhe rrëzimin e kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm, të përmbajë një kontradiktë kaq të hapët të kushtëzuar nga vullneti politik, që siç i paramendim edhe më lart, ende nuk është pasqyruar në ligj. Jo për analogji, por për një konceptim më të drejtë të këtij problemi mund të përmendeshin rastet (edhe pse të pakta), kur instancat më të larta gjyqësore kanë prishur vendime gjyqësore, në të cilat pjesa e depozitimit të tyre në thelb, haptazi nuk përputhej me pjesën hyrëse të tyre.
Në seancën plenare të Kuvendit, në raportin e këshillit u kërkua nga deputetët që ai të lexohej, ndërsa pjesa tjetër kërkoi shpërndarjen e këtij raporti. Në fakt, ai u lexua. Ǒthuhet në ligj për këtë?
Në nenin 118 të rregullores së Kuvendit, thuhet se: "Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve. Prandaj nëse ai nuk u ishte shpërndarë deputetëve, nuk dilte nevoja të lexohej. Por, mendoj se nuk përbën ndonjë shkelje në qoftë se u vendos të lexohej. Z. Basha në Kuvend nuk dha sqarime konkrete për çështjet që trajtoheshin në materialet shoqëruese dërguar Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Në përfundim, ai u shpreh se kërkesa kishte prapaskena politike. A duhej që ai të jepte sqarime për çështjet që evidentoheshin në materialet e prokurorisë?
Në nenin 118 të rregullores së Kuvendit thuhet se në seancën plenare fjala u jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa për të dhënë shpjegime, ose për t‘iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Z. Basha foli në Kuvend ashtu siç e pa të arsyeshme ai. Ishte e drejta e deputetëve t‘i bënin atij pyetjet përkatëse, që mendonin se duheshin sqaruar.
Në seancën plenare u debatua gjithashtu nëse duhej të diskutohej dhe të miratohej edhe rekomandimi që Kuvendi të adoptonte të njëjtën standard sa herë që Prokurori do të paraqesë kërkesë për heqjen e imunitetit. Çmendoni për këtë rekomandim?
Kam mendimin se kjo çështje duhet të ishte shqyrtuar në Këshillin e Rregullores dhe si rrjedhim as që duhet të kishte një rekomandim të tillë. E konsideroj pozitive faktin që ky rekomandim mbeti në kuadrin e debatit dhe nuk kaloi në votim.
Sipas jush, cila do të ishte rruga më e ligjshme për kufizimin apo heqjen e imunitetit të deputetit?
Për këtë jam shprehur edhe më parë. Rruga e ligjshme do të ishte vendimi i nenit 73, pika 1 e Kushtetutës.
Ka mendime se kjo mund të bëhej me një vendim apo ligj të votuar me tri të pestat e deputetëve. A do të ishte e ligjshme kjo?
Mendoj se jo. Nuk do të ishte e ligjshme. Një dispozitë kushtetuese siç është neni 731 i Kushtetutës, nuk mund të ndryshojë në një vendim apo ligj të miratuar me tri të pestat e deputetëve. Në rastin konkret, mendoj se nuk do të kishte vend për interpretime të sforcuara e subjektive dhe as për "analogji" në zbatim të ndonjë rekomandimi që do të binte ndesh me nenin 73 të Kushtetutës sonë.