Maldini: S‘është punuar me të rinjtë
Paolo Maldini ka fiksuar ditën e largimit nga futbolli i luajtur dhe vendin se ku preferon që kjo të ndodhë. Pas 24 sezoneve me fanellën e Milanit dhe në kombëtaren italiane, mbrojtësi do të preferonte që gjithçka të mbyllej në Moskë, vendin ku do të luhet finalja e Ligës së Kampioneve për sezonin 2007-‘08. Kapiteni i kuqezinjve ka folur edhe për situatën që skuadra po kalon në kampionat, por edhe rreth mangësive që ka klubi në skuadrat zinxhirë, ku prej kohësh nuk dalin talente të kalibrit botëror.
Në fund të sezonit, Maldini do të "varë këpucët në gozhdë" dhe të gjithë kërkojnë të dinë se çfarë do të bëjë ai në të ardhmen. "Mund të them se çfarë nuk do të dëshiroja të bëja: me fjalë të tjera të vazhdoja karrierën si trajner, ka deklaruar ai. Nëse do të impenjohem në sektorin e të rinjve? Mendoj se do të ishte një aventurë tërheqëse, megjithatë për këtë lloj pune nevojiten njerëz profesionistë dhe që kanë shumë eksperiencë në këtë sektor". Duke qëndruar në sektorin e të rinjve, Maldini ka prekur edhe atë që mund të cilësohet si një nga problemet madhorë, me të cilat po përballet klubi: "Eksperienca me ekipet zinxhir do të ishte shumë tërheqëse te Milani, sepse është fakt që prej shumë kohësh ky klub nuk ka nxjerrë talente të nivelit të lartë. Sot, më shumë se asnjëherë tjetër, duke parë edhe rregullat e reja të FIFA-s dhe UEFA-s, nxjerrja e sa më shumë futbollistëve cilësorë nga akademia është e domosdoshme". Faji për situatën e krijuar mund të gjendet në të kaluarën: "Mendoj se në të kaluarën janë bërë disa gabime në programin që duhej të ndiqte klubi, ka vazhduar kapiteni kuqezi. Duhet të ndjekim shembullin e Juventusit, që në vitet e fundit ka nxjerrë shumë futbollistë që ishin të gatshëm për të milituar në Serinë A. Duhet të rikrijohet akademia, ajo që më parë ishte një nga pikat e forta të Milanit". Rreth ndeshjes së lamtumirës nga futbolli, në një farë mënyre ai ka zbuluar objektivin personal, për të mbyllur në mënyrë të lavdishme një karrierë të shkëlqyer: "Ndeshja e lamtumirës? Po, e kam menduar. Do të jetë ndeshja në Moskë... (finalja e Champions-it për këtë sezon)". Rreth tabusë "San Siro", ku skuadra ende nuk ka fituar asnjë ndeshje në kampionat: "Ajo që po ndodh në përgjithësi në këtë kampionat dhe në veçanti për ndeshjet në shtëpi është paradoksale dhe personalisht mund ta cilësoj të pashpjegueshme. Milani arrin të zhvillojë ndeshje të mëdha jashtë fushe dhe në stadiumin e vet gjendet në vështirësi. Tashmë është e konfirmuar: në ‘San Siro‘ shënojmë pak gola". Skuadra e Ançelotit është shumë larg kreut në kampionat: me 18 pikë të grumbulluara, kuqezinjtë e shohin veten të distancuar me 25 pikë nga Interi kryesues (edhe pse duhet të rikuperojë tri ndeshje).