Antikat italiane kthehen në shtëpi
Sot, rreth 70 kryevepra nga antikiteti do të ekspozohen në Pallatin "Kuirinale" të Romës. Evenimenti është më shumë se thjesht ekspozimi i mrekullive nga epoka romake, greke dhe etruske: është shpërblimi i një beteje të gjatë, të zhvilluar nga autoritetet më të larta të artit të vendit fqinj, kundrejt disa muzeve botërore, të cilat - sipas italianëve - i kanë përvetësuar në rrugë joligjore kryeveprat që i përkasin trashëgimisë kulturore dhe historike të këtij vendi.
Prej vitesh Italia ka këmbëngulur për kthimin e veprave të artit, të cilat janë nxjerrë dhe eksportuar ilegalisht nga trualli i saj. Shumë syresh kanë dalë në dritë, falë gërmimeve të paligjshme, janë transportuar në fshehtësi jashtë vendit për t‘iu shitur tregtarëve të artit në Zvicër dhe Nju-Jork, të cilët nga ana e tyre, i kanë tregtuar nëpër muzeume të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e në vende të tjera - ndonjëherë ende të papastruara mirë nga dheu. "Tani odiseja e tyre ka marrë fund një herë e mirë", deklaroi të hënën ministri i Kulturës së vendit fqinj, Françesko Ruteli. "Më në fund do të kthehen në shtëpi".
Pjesa më e madhe e veprave, që do të ekspozohen të premten në Romë, u morën nga muzeu "J. Paul Getty" i Kalifornisë, pas më shumë se një viti negocimesh, të cilat italianëve nuk u kanë lënë shije të mirë. Ishte arritur deri në atë pikë sa një prej kuratoreve të muzeut të hidhej në gjyq nga ana e autoriteteve italiane për blerjen e duzinave veprash të tilla arti, duke pasur informacionin e duhur dhe duke qenë në dijeni të plotë të faktit se bëhej fjalë për vepra të nxjerra në mënyrë të jashtëligjshme në treg.
Disa vepra të tjera u kthyen nga Muzeu i Arteve të Bukura të Bostonit, nga Muzeu i Artit të Universitetit Prinston dhe nga Muzeu Metropolitan i Artit në Nju-Jork. "Ky vendim për kthimin e veprave të artit mund të konsiderohet si gur themeltar në debatin kompleks ndërkombëtar mbi trashëgiminë kulturore", shkruante Maikëll Brend, drejtori i Muzeut të Kalifornisë, në një letër e cila do të mund të lexohet nga të gjithë gjatë ekspozitës së sotme.
Vetë ekspozita është pjesë e një trendi në rritje. Duke qenë se janë gjithnjë e më të shumtë ato vende që kërkojnë të drejtat mbi vepra që i përkasin trashëgimisë kulturore, kuratorët po e gjejnë veten në anën e humbësve përgjatë betejave mbi koleksione të blera në rrethana të paqarta.
Këto beteja, ndonjëherë, shohin përballë njëri-tjetrit arkeologë dhe zyrtarë të ngarkuar nga shtetet të kujdesen për veprat antike dhe kuratorë, si Filip De Montebelo, drejtor i Muzeut Metropolitan i Artit në Nju-Jork, i cili është i bindur se vlera estetike dhe historike e një vepre arti duhet t‘i kalojë kufijtë artificialë shtetërorë - dhe se vende si Egjipti apo Italia nuk duhet të jenë kaq grykës. "Duhet të jemi plotësisht të vetëdijshëm, se falë objekteve që lëvizin përtej vendeve ku janë krijuar, transmetohen doza të jashtëzakonshme dijeje, kulturash dhe traditash", tha De Montebelo, në një konferencë të mbajtur në Berlin vjeshtën e shkuar. "Vendet nga vijnë më shumë këto vepra, kanë luksin e teprisë dhe kanë më shumë material nga ç‘mund të ekspozojnë, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e të cilëve nuk kujdeset askush".
Gjithsesi, autoritetet që kujdesen për veprat antike të artit nga Italia, në Egjipt, në Amerikën Qendrore, janë nën presione të forta për të kërkuar rikthimin e tyre nga koleksionet e muzeve të huaja. Ndërkaq, arkeologët shqetësohen për faktin se veprat e nxjerra, falë gërmimeve jo të ligjshme, në rast se shiten veçmas dhe shkëputen nga pjesa tjetër e objekteve të siteve, humbin një pjesë shumë të madhe të informacionit kontekstual si edhe të vlerave shkencore.
Kuratorët dhe tregtarët e kësaj industrie kanë vendosur një vijë ndarëse, duke këmbëngulur që gjithçka e blerë përpara vitit 1970 - viti kur UNESCO përpiloi Konventën mbi Masat Ndaluese dhe Parandaluese të Importimit, Eksportimit dhe Transferimit të Paligjshëm të Trashëgimive Kulturore, traktati më i rëndësishëm qeverisës në tregun e antikiteteve - të konsiderohet e ligjshme dhe të mos bëhet objekt pretendimesh. Teksa një zgjidhje e tillë është shumë e mirë për muzetë evropianë, të cilët kanë blerë qindra e mijëra vepra arti greke, romake e egjiptiane qindra vjet më parë, muzetë e rinj, si ai i Kalifornisë apo i Nju-Jorkut kanë pasur mundësi ta bëjnë këtë vetëm gjatë pak dekadave të fundit.
Shembulli italian
Ishin autoritetet italiane ato që më së shumti futën në telashe këto muzeume të rinj. Zyrtarët nga vendi fqinj paraqitën qindra foto që provonin se shumë nga veprat e ekspozuara në muzeun kalifornez ishin vjedhur ose nxjerrë nga nëntoka italiane falë gërmimeve të paligjshme. Statuja e madhe e një perëndeshe - e blerë në vitin 1988 për 18 milionë dollarë - ishte ende e papastruar nga dheu kur mbërriti në Los Anxhelos.
Një nga veprat më spektakolare në ekspozitën që është hapur sot në Romë është një skulpturë e shekullit IV para Krishtit, e cila tregon një dre teksa sulmohet nga dy krijesa gjysmë luan e gjysmë shqiponjë. Edhe pse është krijuar përpara 2 mijë e 4 qind vjetësh, mbi të vërehen ende shumë qartë ngjyrat. Të tjera janë afreske nga Pompei, një vazo etruske parfumi në formën e patës, dhe statuja e një perandoreshe romake e 1 mijë e 7 qind viteve më parë.
Po aq e mrekullueshme vlerësohet edhe vazoja e Eufronit - negociatat për kthimin e së cilës janë në rrugë e sipër - me madhësi të konsiderueshme dhe e përdorur për të përzierë ujin me verë. Në anën e saj, me ngjyrë të zezë e të verdhë është pikturuar skena ku një hero ngrihet nga toka nga Gjumi dhe Ëndrra. Piktori, i cili edhe e ka firmosur vazon, i ka kushtuar aq rëndësi detajeve nga më të imtat, sa kushdo mund të admirojë qerpikët e heroit. Mendohet se vazoja do të kthehet në shtëpi në fillim të janarit, për t‘iu bashkuar ekspozitës në Romë.
Italia është përpjekur të japë e para shembullin e saj, duke kthyer në vendet përkatëse disa vepra arti, të cilat gjendeshin pa të drejtë nëpër muzetë e saj. Në vitin 2005, autoritetet italiane vendosën kthimin në Etiopi të një obelisku 1 mijë e 7 qind vjeçar, i cili qe rrëmbyer në vitin 1937 me urdhër të Benito Musolinit. Gjithashtu, gjatë verës së këtij viti, një gjykatës detyroi Muzeun Kombëtar Romak të kthente statujën e një perëndeshe të marrë në Libi në vitin 1913. "Vendimi përbën një precedent të shkëlqyer për promovimin e kthimit në Itali të antikiteteve që janë përvetësuar pa të drejtë nga shtete të tjera", deklaroi në një konferencë shtypi ministri i atëhershëm italian i Kulturës.
Por nga ana tjetër, autoritetet e vendit fqinj janë përpjekur të tregohen sa më të arsyeshme me muzetë në fjalë, pasi fërkime të këtij lloji veç mund ta dëmtojnë kulturën botërore. Është rënë dakord që në këmbim të veprave të artit Italia t‘u huazojë për afate të gjatë kohorë vepra të së njëjtës rëndësi.