E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpërndan 185 mln USD për 11 ditë

Qeveria merr masat për festat e fundvitit. Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje fonde të veçanta për 49 institucione buxhetore, për të siguruar shpërblime për punonjësit më të mirë të administratës, siguron financimin për pagesën e shpërblimit të fundvitit për pensionistët me rreth 2.6 miliardë lekë dhe furnizimin e llogarisë së shpronësimeve. Po kështu, qeveria është kujdesur që shqiptarët të kenë energji gjatë festave të fundvitit, duke i ndarë një fond KESH-it. Në bazë të relacionit të përgatitur nga ministri Bode, do të sigurohen me këtë fond burime suplementare financiare për lehtësimin e situatës energjetike gjatë përdorimit të kursimeve të fundvitit në llogarinë e balancimit të KESH-it. Duke mënjanuar fondin e posaçëm për KESH-in, buxheti i ministrive për këto 11 ditë do të shtohet me 185 milionë dollarë. Fondet që nuk janë përdorur për arsye objektive gjatë këtij viti buxhetor, ministri i Financave, Ridvan Bode, ka vendosur t‘i çojë në Këshillin e Ministrave vendimin për rialokimin e këtyre fondeve të papërdorura brenda këtij viti. Qeveria ka miratuar dje shpërndarjen e fondit prej 200 milionë dollarëve për 49 institucione kryesore të vendit. Këto institucione kanë afat për t‘i ezauruar këto fonde vetëm 11 ditë, pasi duhet të mbyllen brenda këtij viti, në të kundërt këto fonde digjen. Sipas tabelës së miratuar në mbledhjen e qeverisë, ministria që ka më shumë para për të shpenzuar këto 11 ditë përpara natës së ndërrimit të viteve është Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit me 45 miliardë e 884 milionë lekë. Në vendin e dytë është Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta me 39 miliardë lekë, ndërsa në të tretin Ministria e Arsimit me 30 miliardë. Ky vendim i Këshillit të Ministrave do të sigurojë zgjidhjen e problemeve duke rialokuar fondet për investime nga projekte, të cilat nuk kanë filluar apo kanë ecur me ngadalë, në projekte me ecuri më të mirë. Sipas këtij vendimi, do të rialokohen rreth 3 miliardë lekë, përveç shtesës rreth 2 miliardë lekë nga kursimet korrente. Këto fonde qeveria ka planifikuar t‘i përdorë për vazhdimin e financimit në rrugën Durrës-Kukës. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha cilësoi të një rëndësie të veçantë vendimin për rialokimin e fondeve prej 200 milionë dollarësh, të cilat do të përdoren në sektorë të ndryshëm. Kryeministri theksoi se këto shuma janë rezultat i një performance financiare shumë të mirë, për sa i përket mbledhjes së të ardhurave. "Këto 170 milionë dollarë, madje 200 milionë me kursin e tanishëm, vijnë së pari si rezultat i uljes së kostos së borxhit publik. Mirëmenaxhimi i borxhit ka bërë që interesat e tij të zbresin në rekordin historik, 2.1% të GDP-së dhe të përfitohen 3.8 miliardë lekë", u shpreh Kryeministri. "Fondi shtesë i qeverisë për Vitin e Ri mblidhet nga shkurtimi i shpenzimeve operative, nga shkurtimi i shpenzimeve të fondit të pagave dhe nga fondi i shkurtimeve të tjera, ndërkohë, sikundër e shihni, investimet shtohen. Kjo përbën një përgjegjësi shumë të lartë", tha Kryeministri.

Berisha informoi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se një fond prej 4 miliardë lekësh do t‘i jepen Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, në formën e kredisë qeveritare, për përballimin e problemeve energjetike. Kryeministri theksoi se KESH-i ka bërë përpjekje serioze për të menaxhuar krizën më të madhe energjetike në vend. "Kjo sipërmarrje ka qenë e detyruar të shesë energji të paktën me 80 deri në 100% më lirë, se sa e ka blerë. Sepse për fatin tonë jo të mirë, çmimet e energjisë 2006-2007 janë dy apo trefishuar sipas periudhave të vitit. Ndaj dhe ne i japim këtë shumë KESH-it për t‘u përballur me problemet e krijuara nga energjia", tha Berisha.

Tabela me buxhetin e vitit 2007 për ministritë

Ministria e Punëve Publike dhe Transportit

45.884.433.000

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

39.687.100.000

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

30.629.675.000

Ministria e Shëndetësisë

21.638.761.000

Ministria e Mbrojtjes

17.147.000.000

Ministria e Brendshme

13.309.406.000

Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës

6.619.800.000

Ministria e Bujqësisë

5.127.095.000

Ministria e Drejtësisë

4.078.257.000

Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve

1.742.410.000

Ministria e Mjedisit

1.785.045.000

Ministria e Jashtme

1.619.000.000

Ministria e Integrimit

138.143.000

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›