Festat, 30 mijë lekë shpërblim për mjekët
Mjekët e poliklinikave, lagjeve, do të marrin 30 mijë lekë të reja shpërblim. Edhe pse ata nuk përballojnë të njëjtën punë voluminoze si mjekët e spitalit, të cilët të "mbiquajtur" administratë, do të përfitojnë vetëm 10 mijë lekë të reja si shpërblim të punës vjetore, reforma e parësorit duket se u ka dhënë një "dorë". Nga ky shpërblim përfitojnë rreth 9300 punonjës të qendrave shëndetësore, nga të cilët 1900 mjekë dhe 7400 personel tjetër, infermierë, sanitarë. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke përdorur maksimalisht fondet në dispozicion, do të akordojë një buxhet shtesë për qendrat shëndetësore me rastin e festave të fundvitit. Fondi që do të akordohet do të përdoret për dhënien e shpërblimeve për mjekët në masën 30 mijë lekë të reja (një pagë mesatare mujore) dhe për personelin tjetër, infermierë, sanitarë, punonjës mbështetës teknikë, në masën 10 mijë lekë të reja. Fondi që ISKSH-ja do të shpenzojë për këto shpërblime kap shifrën 131 milionë lekë të reja. Sipas Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, shpërblimet e vitit 2006 dhe 2007, janë më të mëdhatë që mjekët e familjes kanë marrë ndonjëherë. "Ky shpërblim i fundvitit do të merret nga mjekët dhe stafi tjetër i qendrave shëndetësore, përpos të ardhurave që këto qendra kanë përfituar nga shpërndarja e 10 për qind mbi pagën për performancën gjatë gjithë vitit", sqaruan dje përfaqësuesit e Kujdesit Shëndetësor. Paga për performancë është përdorur dhe vazhdon të përdoret nga qendrat për rritje rroge dhe shpërblime. Lidhur me shtesën për performancë, rezulton që rritja e përcaktuar sipas vendimit të Këshillit Administrativ të ISKSH-së është zbatuar në masën 45 për qind, në bazë të realizimit të performancës nga vetë qendrat. Sipas të dhënave, rezulton se të gjitha qendrat shëndetësore kanë aplikuar rritjen e pagave të bëra me vendimet e Këshillit Administrativ. Kjo rritje në total kap vlerën 209 milionë lekë. Për 6-mujorin e parë të vitit kanë paguar shpërblime 141 qendra shëndetësore nga 418 qendra gjithsej me efekt financiar 69 milionë lekë. Ndërsa kanë tërhequr buxhet për aktivitet të gjitha qendrat shëndetësore me një efekt financiar 187 milionë lekë ose 45 për qind të planit të 11-ujorit. Theksojmë se sipas Drejtorive Rajonale të Kujdesit Shëndetësor, tërheqja e buxhetit për aktivitet varion nga 11 për qind deri në 65 për qind të planit. Nga të dhënat e ISKSH-së rezulton se ato qendra shëndetësore të cilat kanë tërhequr vlerë më të madhe të buxhetit për aktivitet, mbështetur në realizimin e numrit të parashikuar të vizitave, kanë arritur të paguajnë pagat e rritura, të likuidojnë të gjitha detyrimet ndaj sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe ndaj të tretëve. Këto likuidime përfshijnë blerjen e mallrave shërbimeve, e në disa raste kanë dhënë deri një pagë shpërblim.