E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, dhuratë 5 mijë lekë për 500 mijë pensionistë

Qeveria miraton vendimin për dhënien e shpërblimit të fundvitit prej 5 mijë lekësh për pensionistët e qytetit dhe fshatit. Ministria e Financave ka përcaktuar në relacionin për të shkuar në Kuvend që këtë asistencë ta marrin dhe personat që kanë punuar në miniera dhe përfitojnë trajtim të veçantë sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000 "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë", si dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004 "Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake".

Në projektvendimin e Këshillit të Ministrave nuk janë parashikuar që të përfitojnë personat që përfitojnë pension për vjetërsi shërbimi si ish-ushtarakë dhe ish-punonjës të Policisë së Shtetit që aktualisht janë 10.719 persona, si dhe personat që marrin pension suplementar shtetëror si punonjës të shtetit dhe që nuk kanë plotësuar kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr.7703. Masa e asistencës prej 5 mijë lekësh për pensionet e qytetit përfaqëson rreth 50% të shumës minimale të të ardhurave mujore të pensionistit të qytetit, ndërsa për pensionet e fshatit masa e asistencës ekonomike përfaqëson 92.4 për qind të të ardhurave mujore të një pensionisti që merr pension të plotë.

Fondi për pensionistët

Qeveria akordon 4 miliardë lekë për pensionistët. Kryeministri Berisha bëri të ditur dje në mbledhjen e qeverisë se nga vendimi për rialokimin e fondeve, 4 miliardë lekë kalojnë për pensionet, nga të cilat, 3 miliardë lekë për dhënien e një ndihme ekonomike për pensionistët me rastin e festës së Vitit të Ri.

"Fondi që shkon për pensionet është 4 miliardë lekë. Nga këto, 3 miliardë është shuma që shkon për darkën e Vitit të Ri për këtë brez", u shpreh Kryeministri. "Ne e nisëm Vitin e Ri me këtë kontingjent të popullatës, që është mbi 500 mijë dhe më vjen mirë që e mbyllim duke u siguruar të gjithëve një darkë të qetë për Vitin e Ri", tha Berisha.

Vendimi

Përfitojnë asistencë ekonomike të menjëhershme, në shumën prej 5 mijë lekësh personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë". Shtresës së pensionistëve dhe ish-minatorëve, të cilët përfitojnë sipas një ligji të posaçëm, i shtohen edhe veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përllogariten në shumën dy miliardë e shtatëqind e njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë lekë dhe do të përballohen nga buxheti і shtetit dhe do të përdoren dy miliardë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tre milionë e treqind e shtatëdhjetë mijë lekë për asistencën e menjëhershme të pensionistëve dhe 28 milionë e gjashtëqind mijë lekë, për mbulimin e komisioneve të shërbimit të pagesave dhe për shpenzimet administrative. Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në buxhetin e miratuar për vitin 2007, në programin "Mbrojtja sociale", і shtohet fondi 2 miliardë e gjashtëqind milionë lekë, ndërsa shuma 111 njëqind e njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë mijë lekë do të përballohet nga transferta e buxhetit të shtetit për sigurimet shoqërore. Procedurat e pagesës së asistencës së menjëhershme për pensionistët do të realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›