Rusmali, pro Metës: Ok, për proporcionalin e pastër
Bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Ilir Rusmali, mbështet sistemin e pastër proporcional dhe pragun e lartë. Pas heshtjes së gjatë të ish-ministrit të Drejtësisë dhe kryetari i reformës zgjedhore, Rusmali, ka vendosur të mos e fshehë simpatinë për idenë e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për një sistem të pastër proporcional, pragu i të cilit domosdoshmërisht është i lartë. "Modeli proporcional i pastër është një model që vlen të merret në konsideratë. Nuk mund të them se do të jetë ky modeli që do t‘i servilet Parlamentit, por, gjithsesi, duhet marrë parasysh", u shpreh Rusmali. Sipas tij, do të jenë detajet ato që do të përcaktojnë pragun elektoral, ndërkohë që politika është e përçarë në lidhje me këtë pikë. Të vegjlit duan prag të ulët, ndërsa gjigantët e politikës kërkojnë pragun e lartë. "Pragu është kryesor. Modeli i proporcionalit të pastër ka si rregull një prag të lartë. Një javë më parë, deputeti i PD-së, Preç Zogaj, ka qenë i pari që ka reaguar nga kampi blu në lidhje me pragun elektoral, duke kërkuar që ai të jetë jo nën nivelin 4%. Po kështu, edhe deputeti Spartak Ngjela është shprehur dy ditë më parë se ka ardhur koha që pragu të rritet, duke mbështetur idenë që ai të jetë 4%. Edhe Partia Republikane është shprehur se është e gatshme të negociojë për pragun. Ndërsa pragu është diçka që do të zgjidhet në momentin e fundit, modeli që pritet të përdoret është ai proporcional i pastër, nëse PD-ja vendos të bashkojë votat me LSI-në për të zgjedhur këtë model.