Antikosovari: Kosova nuk është fuçi baruti
Teksa Kosova bënte përgatitjet përfundimtare për shpalljen e pavarësisë, Kremlini nuk reshti së kërcënuari e Serbia së protestuari. "Në rast se Serbia do të ndahet kundër vullnetit të saj", tha Presidenti i saporizgjedhur, Boris Tadiç, gjatë konferencës mbi sigurinë e Evropës e mbajtur në Munih, "rezultati mund të jetë rindezja e konflikteve të ngrirë, si edhe shpërthimi i kushedi sa të tjerëve"
Por konkretisht, cili mund të ishte reagimi i Serbisë? Bratislav Grubaçiç, një ndër analistët më të aftë e më të ashpër të Beogradit, i cili që në epokën e Milosheviçit kishte parashikuar me saktësi pasojat politike të nacionalizmit të verbër të "ish-njeriut të hekurt të Ballkanit" dhe që më pas kishte parathënë dështimin e përpjekjeve për zgjidhje diplomatike nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian dhe OKB-së, i përgjigjet kësaj pyetjeje prerë: "Nuk do mund të bëjë asgjë".
Shpjegohuni. Serbia që prej 700 vjetësh këmbëngul se Kosova ka qenë "zemra e shenjtë nga e cila nuk mund të hiqej dorë", papritmas dorëzohet dhe pranon faktin e kryer?
"Jo problemi nuk ngrihet kështu. E vërtetë është se shkëputja e Kosovës, edhe pse asnjë politikan nuk guxonte ta pranonte me zë të lartë, ishte bërë prej kohësh fakt i pakundërshtueshëm. Por në vend që ta shkëpuste që pas daljes nga skena të Milosheviçit, oksidenti preferoi ta shtynte e të gjente një çast më të përshtatshëm. Kështu, Kosova u kthye në një protektorat burokratik nën tutelën e NATO-s. Dhe tani, me minoritetin serb që ndihet i rrethuar dhe mazhorancën shqiptare që gjatë gjithë këtyre viteve ka punuar pandërprerë për të arritur shkëputjen përfundimtare nga Serbia, të flasësh për bashkekzistencë e pajtim nuk ka kurrfarë kuptimi. Thyerja ekziston dhe do të zgjasë në kohë".
Por ku qëndron ndryshimi mes pavarësisë së Kosovës dhe shkëputjes së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë?
"Për t‘iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhen shkruar libra të tërë. Por t‘i përmbahemi aktualitetit, nuk mund të mos merret parasysh realiteti i këtij shteti të ri të cilin mazhoranca kosovare do ta ndërtojë duke u mbështetur te ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht nën administratën aktuale. Ndërkohë, duhet mbajtur parasysh se edhe Kosova e pavarur po lind si një shtet i çekuilibruar nga pikëpamja demografike, me mazhorancën shqiptare në rritje shumë të fortë, mosha mesatare e së cilës është vetëm 28 vjeç dhe një minorancë serbe me mesatare 58 vjeç. Nga ana tjetër, Evropa duhet të mbajë mirë parasysh edhe një fakt. Në ekonominë kosovare që është krijuar gjatë këtyre viteve nën tutelën ndërkombëtare, një zë shumë i rëndësishëm dhe shumë shqetësues është trafiku i drogës, i cili arkëton rreth 50 miliardë në vit".
Gjithsesi, ju mendoni që edhe në rast se vërehen incidente të rënda me minoritetin serb, Beogradi nuk do ndërhyjë me forcë në Kosovë?
"E përjashtoj tërësisht. Ideja që koalicioni i tanishëm qeverisës të mendojë për një luftë çlirimtare në Kosovë nuk është e besueshme. Nga ana tjetër, ushtri serbe është përgjunjur rëndë për shkak të bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe që atëherë, nuk ka arritur të mëkëmbet më. Por me shumë gjasa Beogradi do marrë kundërmasa karshi atyre qeverive që ndihmuan më shumë Kosovën".
Çfarë kundërmasash?
"Mbi të gjitha e kam fjalën te disa vende evropiane. Është e mundshme edhe tërheqja e ambasadorëve, madje edhe prishje të plota të marrëdhënieve diplomatike për periudha të caktuara, si edhe aplikimin e sanksioneve të ndryshme. Edhe pse më duket e vështirë që këto kundërmasa të aplikohen karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës: në lojë me Uashingtonin e Beogradin janë interesa të përbashkëta shumë të rëndësishme".
Cilat do jenë reperkusionet ndërkombëtare?
"Rusisë, kriza kosovare i jep një shans të çmuar për të treguar peshën e vet dhe kjo me një investim tepër modest. Dhe në fakt, Putin e kapi menjëherë topin e përplasur në dysheme duke iu çjerrë të gjitha instancave se deklarata e pavarësisë nga ana e Kosovës, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, është një akt ilegal. Jo vetëm kaq. Tani Moska ka justifikimin e shkëlqyer për të këmbëngulur se, ndërsa Kosova qe në gjendje të shpallte njëanshmërisht pavarësinë nën mbështetjen e Uashingtonit, e njëjta logjikë mund të vlejë edhe për popullsitë që duan të shkëputen nga Gjeorgjia".
Ju për Kosovën përdorni një fjalë të vetme, "protektorat". Mos do jetë e tillë e ardhmja e shtetit të ri ballkanik?
"Edhe Kosova, ashtu si Bosnja dhe Maqedonia, do të jetë e lirë vetëm me fjalë. Në fakt, do të mbetet një entitet nën tutelën ndërkombëtare, me një ekonomi që do mbahet më këmbë falë ndihmave: le të kujtojmë 40 milionë eurot me të cilat mbijeton aktualisht ekonomia kosovare. Sa për integrimin, për momentin kjo është utopi e pastër. Në të vërtetë 120-140 mijë serbët që mbeten në vend nuk kanë fije besimi se kosovarët do t‘i shpërblejnë përzemërsisht! Ndërkaq, minoriteti serb, me plakjen e emigracionin, është e destinuar të mpaket gjithnjë e më shumë. Më pas, në një pikë të caktuar, në rast se mentaliteti do të ndryshojë me ndërrimin e brezave dhe në rast se një ditë Kosova do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ka shanse që barriera e intolerancës të zbehet. Por kjo mund të ndodhë pas 30-40 vjetësh, jo më herët".