E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpejtësia, më shumë hapësirë, më pak kohë, sekreti që njeriu u vodhi zotave

Shpejtësi, si fjalë e ka prejardhjen nga fjala "velox" në latinisht, baza e të cilës shpjegon diçka të shpejtë, të zhdërvjellët, shpejtësi si lumturi e kohës së paharxhuar. Në shumicën e rasteve, për shkencën shpejtësia është raporti ndërmjet hapësirës së përshkuar dhe kohës që i është dashur për të përshkuar këtë hapësirë dhe atributet e saj në mënyrën se si emërtohet janë të panumërta po aq sa dhe ndryshimet e saj. Në fizikë, shpejtësia është një madhësi që mat veçanërisht distancën materiale që është përshkuar në një hark kohor të caktuar; mund të jetë "shpejtësi asimptotë", shpejtësia që një trup me motor do të arrinte pas një kohe infinite, ose edhe "shpejtësi absolute", ajo e një pike materiale në raport me një sistem referimi të caktuar. Një tjetër formë që merr kuptimi i saj, gjithmonë në fizikë, është "shpejtësia e dritës", rreth treqind mijë kilometra për sekondë, një shpejtësi konstante me të cilën përcillet drita; mund të përfaqësohet edhe si "shpejtësi e zërit", ajo me të cilën valët zanore arrijnë një trup fizik, kjo ekuivalente në ajër të thatë dhe në kushte normale temperaturash dhe presioni, rreth 340 metra për sekondë. Në astronomi mund të jetë "shpejtësia e largimit", shpejtësia minimale e një trupi material, për shembull një mjet hapësinor, e nevojshme për t‘u larguar pambarimisht nga një trup qiellor dhe mund të jetë "shpejtësi orbitale" ose "shpejtësia karakteristike e yjeve". Astronautika njeh një "shpejtësi astronautike" primare të cilën ia mundëson një trupi fizik për ta vënë në lëvizje orbitale rreth Tokës, dhe një "shpejtësi astronautike" dytësore, ajo e largimit të një trupi duke u nisur nga sipërfaqja e Tokës për të mbërritur në hapësirën përtej orbitës. Edhe në aeronautikë ekziston një "shpejtësi largimi": e cila është shpejtësia minimale që një mjet fluturues duhet të arrij për të mundur të dalë nga fusha gravitacionale e tokës (që korrespondon me 11,3 kilometra për sekondë, rreth dyzetmijë kilometra për orë). Por shpejtësia merr edhe shumë përkufizime të tjera në shumë fusha të ndryshme të jetës: "shpejtësia e qarkullimit të monedhës", "shpejtësia e një reaksioni kimik", "shpejtësia e evolucionit biologjik", ose "shpejtësia e punës" ajo që merret me kohën që i duhet një përpunuesi të përfundojë veprime elementare ose komplekse në "Mips", ky i fundit akronimi për njësitë e shpejtësisë të një mikroprocesori.

Natyrisht, shpejtësia ka zënë vendin e saj ose më mirë të themi luan rolin e saj edhe në letërsi dhe në histori. Sigurisht, shpejtësia ka një karakteristikë rrënjësore, një fund konstant që i kërkon të tejkalojë vazhdimisht vetveten, "garë", kjo është fjala që përdoret zakonisht. Shpejtësi: të risësh shpejtësinë, ky është qëllimi i saj, "të shpejtosh", ta bësh të shpejtën më të shpejtë, siç ishte për Marinetin. Të shpejtosh, të bësh më efektiv një aktivitet dhe mbi të gjitha lëvizjen e njeriut në tokë: "Ne dëgjuam menjëherë të gumëzhinin poshtë dritareve automjetet e uritura. Ne jemi duke asistuar në lindjen e centaurit dhe së shpejti do të shohim të fluturojnë engjëjt e parë". Shpejtësia gjithmonë ka qenë një atribut i krijesave mitologjike, të dhunshme dhe tërheqëse: tepër të shpejtë janë "bisha e tmerrshme dhe e madhe" e Bokaços, "dreri i etur" i Savonarolës, "kali hyjnor ngjyrë i zi e bojëqielli" i D`Anuncios; dhe Leonardo fliste për shpejtësinë marramendëse të stuhisë që vinte nga veriu i Italisë. Ecnin shpejt "futuristët". Marineti shkruan: "U shtriva në makinën time si një kufomë në arkivol, por menjëherë u rizgjova përballë timonit, tehu i gijotinës që kërcënonte stomakun tim". Dhe vazhdon të shkruajë: "Oh! kanal amënor, gati plot me ujë baltak! Kanal i bukur i ofiçinës! Unë shijoja babëzisht llumin tënd forcues, që më kujtoi gjirin e shenjtë të zi të mëndeshës time sudaneze... Kur u ngrita në këmbë - zhele, i fëlliqur dhe i qelbët - nën makinë, ndjeva një kënaqësi thellë në zemër nga hekuri përvëlues i gëzimit!". Ky brez poetësh e dashuronte shumë pikëçuditësen dhe shumë shpejt e përdorën në masë. Kushedi se çfarë makine ishte ajo ku nën të cilën ishte futur Marineti, e shpejtë po, por sigurisht jo një Ferrari.

Futurizmi italian është lëvizja e parë artistike që e vuri automobilin në qendër të poetikës së saj. Dhe automobili si puna e aeroplanit ishte një totem i shpejtësisë: ato rombe, ato imazhe që lëviznin shumë shpejt, ato rrëshqitje anësore në kthesa të ngushta, është poetika e mekanikës dhe e teknologjisë që u ndoq nga futuristët dhe nga pankartat e Filipo Tomazo Marinetit.

Eksperienca e shpejtësisë së automobilit dhe teknologjia e re, bashkë me mendimet e Henri Begson, i bëjnë futuristët të kuptojnë se realiteti është në radhë të parë dinamizëm dhe njëkohësi, një gufim i shpejtë dhe i vazhdueshëm që u kundërvihet klasikëve, fanatikë të stabilitetit dhe rregullit.

Ndërsa në pikturë është Xhakomo Bala, i cili e përqendroi interesin e tij tek automobili, dhe jo për format e saj, por për dinamizmin dhe shpejtësinë: më shumë se njëqind vepra, të cilat ia ka dedikuar kësaj figure. Piktura që prezantojnë imazhe të përsëritura të cilave u shtohet një tjetër paraqitje linjash dhe formash, dhe rezultati është përshtatja, gati sa nuk ishin organizma të gjallë. Dhe nuk duhet harruar se menjëherë pas disa viteve lindi piktura e avionëve, vizatimi i tyre, pikturë në pikjatë, ngjyra të "farkëtuara" nga një erë që tregon shpejtësi, rrezik dhe katastrofë.

Në numrin e parë të gazetës "Italia futuriste" (maj 1916), Marineti shkruan fjalë që duken si të largëta, por faktikisht nuk ishin aspak: "Shkëlqyeshmëria e botës është pasuruar me një bukuri të re, bukuria e shpejtësisë. Ky moral do ta mbrojë njeriun nga dekompozimi i pashmangshëm i të ngadaltës, nga kujtimet, nga analiza, nga pushimi dhe zakoni. Energjia njerëzore, e shumëfishuar nga shpejtësia, do të sundojë kohën dhe hapësirën. Heroizmi është një shpejtësi që ka arritur vetveten duke përshkuar perimetrin më të gjatë. Patriotizmi është shpejtësia direkte e një kombi; lufta është kolaudimi i nevojshëm". Një shpejtësi e madhe automobili ose aeroplani të lejon të arrish me shpejtësi pika të ndryshme larg tokës, pra të bëjë në mënyrë mekanike punën e analogjisë"; "një shpejtësi e madhe është një riprodhim artificial i intuitës analogjike të artistit. Gjithëprania e imagjinatës pa kufij = shpejtësi". Për Marinetin dhe të tjerë si ai, ishte e lehtë të kalonin nga automobili tek aeroplani. Madje, vetë Marineti bashkë me Fedele Axarin, në vitin 1929, publikojnë fjalorin e parë italian për fushën e aeroplanëve. Axari ishte piloti ndërsa Marineti shkruante fjalët për të përshkruar manovrat, instrumentet dhe mënyrat e fluturimit. Ndër to, shpejtësitë e ndryshme si: shpejtësi në sipërfaqe tokësore; shpejtësi për t‘u ngritur; shpejtësi absolute ose shpejtësi reale; shpejtësi komerciale; shpejtësi fluturimi; shpejtësi fillestare; shpejtësi maksimale; shpejtësia maksimale e rënies - pra shpejtësia maksimale që mund të arrijë një trup në rënie të lirë; shpejtësia minimale - shpejtësia e domosdoshme e mjetit për të qëndruar në ajër pa humbur kuotë; shpejtësi horizontale etj. Për të matur shpejtësinë, Marineti shpiku fjalën anemometër: "Instrument që mat shpejtësinë e erës" dhe shpjegon që mund të bëhet fjalë për një anemometër me presion dhe depresion ajri etje.

D`Anuncio, pasi provoi të fluturonte për herë të parë tha: "Është diçka hyjnore, hyjnore dhe tani për tani e pamundur për ta përshkruar me fjalë momentin kur shkëputesh nga toka. E kupton se ka lindur një ndjesi e re. E kam zemrën plot eufori. Ndiej një lumturi si diçka që shijohet fizikisht. Ishte një çast kënaqësie i papërshkueshëm, i paharrueshëm; nuk di ta krahasoj, sepse është një nga ato krizat e rralla të lumturisë supreme, të cilat kujtohen si momentet më të bukura të jetës". Për fluturimin, për aeroplanët dhe shpejtësinë e tyre, D`Anuncio krijoi një mit, një modë. Por bashkë me të e si shumë të tjerë në këtë evolucion teknologjik të papritur, ishte edhe Franc Kafka, i cili tregoi një shpirt të ndryshëm duke shkruar: "Çfarë po ndodh? Këtu sipër, njëzetë metra sipër sipërfaqes së tokës, një njeri i burgosur në një kafaz të drunjtë mbrohet nga një rrezik i padukshëm të cilin e kërkon vullnetarisht". Kohë të largëta, shpejtësi të largëta, tashmë të harruara në shekullin e shkuar dhe ato aktualet, të shekullit të ri, sa vjen e po vjetrohen. Gjithçka vjen e kalon shpejt, që nga rritja me shpejtësi e numrit të lindjeve deri tek ato të vdekjeve, madje edhe rritja totale e popullsisë botërore, 6.648.328.548 persona, gjithçka ecën shpejt, shumë shpejt. Shpejtësinë e jetës e ndiejmë të gjithë prej kohësh dhe gjithmonë e më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›