Anulohet relli "Dakar 2008"
Anulohet gara më e famshme e automobilizmit në shkretëtirë. Mungesa e sigurisë në kontinentin afrikan ka bërë që "Dakar 2008" të mos zhvillohet, ndonëse ishte parashikuar sot fillimi i tij nga Lisbona. ASO, komiteti organizativ i garës, ka vendosur të anulojë turneun e këtij viti për motive sigurie, pas vrasjes së 4 turistëve francezë në Mauritani më 24 dhjetor. Shteti afrikan ishte një nga etapat e turit, ndaj është menduar që ky aktivitet të mos zhvillohet për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme, ndonëse kjo do të thotë se gara do të qëndrojë një vit pushim. Ky duhej të ishte edicioni i 30-të i garës së shkretëtirës, por tensioni i krijuar gjatë ditëve të fundit, e ka bërë të pamundur zhvillimin normal të tij. Qeveria franceze u kërkoi skuadrave dhe pilotëve të mos shkonin në shtetet afrikane, pasi nuk mund të garantonte sigurinë e tyre për shkak të paralajmërimeve për atentate. Kjo ka bërë që një pjesë e pilotëve të bojkotonin garën, duke sjellë më pas edhe anulimin e saj përfundimtar. Vendimi ka qenë një nga më të vështirët, edhe për faktin se "Dakar" është zhvilluar në kushte shumë më tragjike se ato aktuale, edhe kur kanë humbur jetën pilotët pjesëmarrës. Por këtë radhë, rreziku kalonte çdo kufi, ndaj është parë e arsyeshme që gjithçka të shtyhet për vitin 2009.