Juventus siguron Van Der Vart
Juventusi duket se ka arritur të finalizojë përforcimin e parë për sezonin 2008-‘09. Bardhezinjtë kanë bindur Hamburgun t‘u shesë mesfushorin Rafael Van Der Vart, për të cilin kanë gati një kontratë pesëvjeçare. Një lëvizje e kërkuar prej kohësh nga të dyja palët, por që do të realizohet vetëm në qershorin e këtij viti, pas përfundimit të sezonit futbollistik në Evropë. Van Der Vart ka qenë prej kohësh në shënjestrën e shumë klubeve të njohura në Evropë, por në fund ishte projekti i Juventusit ai që e bindi për të ndryshuar kampionat dhe për të zgjedhur Serinë A.
Mediat gjermane kanë bërë të ditur dje se bardhezinjtë kanë bërë një ofertë prej 17 milionë eurosh për futbollistin, kontrata e të cilit përfundon në qershorin e vitit 2009. Mesfushori nuk ka pranuar të rinovojë me Hamburgun, duke bërë të qartë që dëshiron të largohet nga kampionati gjerman, edhe pse aty cilësohet si një prej lojtarëve më të mirë. Mendohej se ai do të shkonte drejt Spanjës, pasi u kërkua me ngulm nga Valencia gjatë merkatos verore. Por ai është bindur më shumë nga oferta e bardhezinjve, të cilët i kanë bërë gati një kontratë pesëvjeçare, me rritje të ndjeshme të rrogës në krahasim me atë që mund të përfitonte nga Valencia. Kjo e ka bërë thuajse të kryer këtë marrëveshje, me zyrtarizimin që mund të jepet në javën e ardhshme, kur Van Der Vart ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për shtyp ku do të sqarojë të ardhmen e tij. Për Juventusin ky është një përforcim shumë cilësor, pasi mesfushori është bërë i pazëvendësueshëm edhe në kombëtaren holandeze. Për më tepër, ai është shumë i saktë para portës, gjë që shihet më së miri nga bilanci i 26 golave në 59 ndeshjet e zhvilluara në Bundesligë. Afrimi i tij do t‘i kthejë bardhezinjtë në një skuadër pretendente për edicionin e ardhshëm në Serinë A, pa harruar që ekipi synon një përfaqësim sa më dinjitoz në Ligën e Kampioneve. Megjithatë, Juventusi po mendon për blerje të tjera gjatë merkatos, pasi ka hedhur sytë drejt Amaurit të Palermos, Mellberg të Aston Vilës dhe Diegos së Verder Bremenit. Nëse këto tri marrëveshje do të realizoheshin, skuadra e Ranierit do të kthehej në një pretendente për çdo trofe të mundshëm.