Kategoria Superiore, e 81-ta në renditjen botërore të IFFHS
Mungesa e rivalitetit në vitet e fundit dhe paraqitja shumë e dobët e skuadrave shqiptare në arenën ndërkombëtare ka renditur Kategorinë Superiore në vendet e ulëta të klasifikimit të kampionateve më të forta në botë. Renditja e publikuar dje nga IFFHS (Instituti Ndërkombëtar i Statistikave në Futboll), ka konfirmuar këtë rënie të ndjeshme të vendit tonë, duke e pozicionuar atë në vendin e 81-të në botë, pas shumë kampionateve thuajse të panjohura afrikane apo aziatike. Superiorja ka siguruar 248 pikë në renditjen e vitit 2007, duke mbetur shumë larg kampionateve të tjera të Evropës Lindore dhe Ballkanit, si Gjeorgjia (74), Bjellorusia (70), Sllovenia (60), Armenia (58) apo Maqedonia (51). Në një situatë të tillë, kuptohet qartë pse mungon interesi ndaj kampionatit tonë nga futbollistët të huaj dhe janë të rralla rastet kur ndonjë lojtar cilësor aktivizohet në Kategorinë Superiore. Për më tepër, sipas kësaj renditjeje, kampionati shqiptar i futbollit është kaluar edhe nga vende që kanë turne të panjohura si: Omani, Zambia, Guatemala, Libani apo Zimbabve. Studimi i bërë nga IFFHS, ka përshkruar se kampionati shqiptar ka qenë mes atyre që ka pësuar rënien më të ndjeshme në renditje. "Një rënie në paraqitje kanë pasur kampionatet kombëtare të: Holandës, Rumanisë, Zvicrës, Çekisë, Bullgarisë, Sllovenisë, Marokut, Irlandës, Letonisë, Angolës, Shqipërisë dhe Azerbajxhanit", shkruhet në shpjegimin e IFFHS për ndryshimet e vitit 2007. Kjo është një arsye më shumë pse disa futbollistë të Kategorisë Superiore po përgatiten për një "eksod" masiv gjatë merkatos së janarit drejt kampionateve ndoshta të panjohura si ai i Kinës apo Azerbajxhanit. Me këto kampionate, rivaliteti është më i lartë, ashtu si edhe mundësia për të përfituar diçka më shumë si në anën profesionale, ashtu edhe atë financiare, gjë që Superiorja nuk e garanton aktualisht.