E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han, 13 mijë euro rrogë në muaj

Sipas termave financiarë të kontratës së ofruar nga FSHF, trajneri i ri i kombëtares, Ari Han, do të përfitojë 13 mijë euro në muaj. Rroga vjetore e holandezit shkon në 156 mijë euro, ndërkohë që nëse e respekton deri në fund kontratën me Shqipërinë, në total përfitimet shkojnë në 312 mijë euro. Edhe pse në disa ambiente sportive kjo shumë është cilësuar "e ekzagjeruar për nivelin shqiptar", në federatë nuk e mendojnë në të njëjtën mënyrë. Përkundrazi, zyrtarët e institucionit që drejton futbollin në vend ndihen krenarë, sepse kanë arritur që edhe në vitin 2008 të sigurojnë shërbimet e një emri të njohur në arenën ndërkombëtare në nivele të njëjta page si në vitin 2001, kur në krye të stolit erdhi Dosena. Në atë kohë, italiani firmosi për një edicion të plotë (kontratë 2-vjeçare), nga e cila përfitonte në total 250 mijë euro. Ndërkohë, nëse krahasohet me ish-trajnerin e përfaqësueses kuqezi, Oto Bariç, paga mujore e Han është rreth 3500 euro më e ulët. Rroga e kroatit për një edicion ishte 300 mijë euro, duke i shtuar kësaj shifre edhe 50 mijë euro për ndihmësin Slavko Kovaçiç.

Pas konferencës, trajneri Ari Han ka vazhduar bisedat me kreun e FSHF-së, Duka në ambientet e federatës. Takimi ka qenë i gjatë dhe aty është folur rreth shortit të ndeshjeve në grupin eliminator, që do të hidhet nesër (6 janar) në Kopenhagen. Kjo do të jetë edhe detyra e parë zyrtare e holandezit. Sot në drekë, i shoqëruar nga presidenti Duka, Han do të niset drejt kryeqytetit të Danimarkës, ku të gjitha federatat e Grupit 1 në eliminatoret e Botërorit 2010 do të takohen për të përcaktuar kalendarin e ndeshjeve. Bisedimet kanë vijuar për stafin teknik, ku holandezi i ka bërë të ditur kreut të FSHF-së se do të zhvillojë takime me disa trajnerë të huaj dhe më pas do të vendosë cilin do punësojë si ndihmës. Temë tjetër e bisedës ka qenë edhe grumbullimi i kandidatëve për një fanellë kuqezi në Kemer. Përgatitjet, të shndërruara tashmë në një traditë për çdo trajner që merr drejtimin e skuadrës do të fillojë më datë 14 janar dhe mendohet të zgjasin 10 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›