E Diel, 1 Nëntor 2026

K.Ronaldo e Berbatov vlejnë 150 mln euro

Mançester Junajted dhe Totenhem kanë vendosur çmimet për yjet e tyre, që dëshirohen edhe nga shumë klube të mëdha evropiane. Bëhet fjalë për Kristiano Ronaldon dhe Dimitar Berbatov. Me 110 milionë paund (148 milionë euro) çdo skuadër mund t‘i përfshijë në kontingjentin e saj: 75 milionë (100 milionë euro) është shuma e përcaktuar në klauzolën për prishjen e kontratës së mesfushorit portugez, ndërsa 35 milionët e mbetura (thuajse 48 milionë euro) është çmimi për të cilin Totenhem do të lejonte largimin e Berbatov. Sipas "Daily Express", tejet i mërzitur nga politika që ndjek, Reali i Madridit (pasi janë lidhur me emrin e Kristiano Ronaldos, klubi "merengues" akuzohet se bën merkato nëpërmjet mediave), Sër Aleks Ferguson ka vendosur të mbyllë çdo spekulim. Kundërpërgjigja për presidentin madrilen, Kalderon ka qenë vlerësimi stratosferik i kartonit të portugezit. "Pak ditë më parë Reali ka lënë të kuptohej se ishte i gatshëm të paguante 60 milionë euro (44,3 milionë paund) për Kristiano Ronaldon, citonte gazeta një burim anonim, që cilësohej si një menaxher i njohur botëror. Megjithatë, përgjigja e Mançester Junajted ka qenë shumë e qartë: ‘Nëse dëshironi futbollistin, duhet të paraqiteni me një ofertë jo më të vogël se 100 milionë euro (75 milionë paund), por edhe në këtë mënyrë nuk duhet të jeni të sigurt se do t‘ua shesim". Sipas së përditshmes, klubi spanjoll nuk është trembur nga shifra e kërkuar nga "Red Devils" (që është disa herë më e lartë nga 65 milionë eurot e shpenzuara në vitin 2001 për Zinedin Zidan) dhe në merkaton e verës mund të tentojë sërish të afrojë Ronaldon. Kalderon ëndërron ta shohë lojtarin të luajë në "Santiago Bernabeu", edhe portugezi ka rrëfyer se do t‘i pëlqente të militonte në Primera Division, por më parë duhet bindur Ferguson, i cili nuk kërkon të privohet nga mesfushori.

Edhe Totenhemi po tenton me çdo mënyrë të mbajë larg Çelsin dhe Mançester Junajted, që janë futur në garë për Berbatov. Pasi e ka cilësuar disa herë të pashitshëm, trajneri Huande Ramos duket se ka vendosur çmimin për kartonin e bullgarit: afro 48 milionë euro, që mund të shërbejnë për të larguar interesin dhe zërat e shumtë të merkatos. "Cilido klub që është i interesuar për Berbatov duhet të paguajë... të paguajë një shumë të konsiderueshme", ka pohuar tekniku në kolonat e tabloidit "The Sun". "Flas për një shumë që është më e lartë se ajo që Çelsi ka paguar për Shevçenkon (afro 41.5 milionë euro), pasi futbollisti ynë vlen më shumë. Berbatov është shumë i rëndësishëm për Totenhemin dhe ne nuk dëshirojmë ta shesim. Gjithsesi, çdo gjë e ka një çmim dhe çmimi i sulmuesit është 35 milionë paund (thuajse 48 milionë euro). Kjo është arsyeja përse deri në fund të merkatos së janarit, lojtari nuk do të largohet". Vetëm dy ditë më parë, Çelsi ka ofruar 26 milionë paund për lojtarin e kombëtares bullgare. Por, duke parë situatën, blutë mund të orientohen nga Nikolas Anelka, që kushton sa gjysma. Nga mediat britanike, "The Times" ka publikuar dhe klasifikimin e 50 blerjeve më të vlefshme në këtë merkato: në vend të parë është Ronaldinjo, pas tij vijnë Berbatov, Benzema, Maduro e Luka Modriç e Lampard. Në vend të 50, i cilësuar si "më pak i dëshiruari" është braziliani Ronaldo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›