Karlsruhe, gati të zëvendësojë Kapllanin
Duket se drejtuesit e Karlsruhes kanë humbur besimin te Edmond Kapllani, pasi janë vënë në kërkim të një sulmuesi të ri për skuadrën. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe trajneri Edmund Beker, i cili kërkon një zgjidhje për repartin e avancuar, i vetmi që nuk ka bindur gjatë fazës së parë në Budesligë, pasi dy titullarët Frais dhe Kapllani kanë shfaqur shumë vështirësi para portës kundërshtare. Kanë qenë mesfushorët dhe mbrojtësit ata që kanë mbajtur peshën e sulmit, duke shënuar gola vendimtarë, ndërsa peshën më të madhe të fajit e ka mbajtur Kapllani, i cili nuk ka arritur të gjejë ende golin e parë në Bundesligë. Ai ka provuar edhe nga pika e bardhë e 11-metërshit, por pa sukses, duke bërë që tashmë të shihet si një zëvendësues. Karlsruhe ka piketuar edhe sulmuesin e saj të ri, australianin Xhoshua Kenedi. 25-vjeçari ka qenë një zëvendësues te Nyrenbergu në pjesën e parë të sezonit, por trajneri Beker e cilëson atë si një futbollist shumë interesant për vijën e parë të sulmit, ku kërkohet një "pykë" e mirëfilltë, pas dështimit të mirëfilltë të Kapllanit. "Ai është një lojtar shumë interesant, që në do të na shërbente shumë", u shpreh dje Beker në ditën e parë të grumbullimit të Karlsruhes për vitin 2008. Dje, skuadra ka zhvilluar testet fizike, ndërsa mediat gjermane kanë bërë të ditur se lojtari që është paraqitur më dobët ishte pikërisht sulmuesi shqiptar, Edmond Kapllani. Nëse sulmuesi durrsak nuk arrin të kthehet në formën më të mirë para fillimit të fazës së dytë të kampionatit, ai rrezikon seriozisht jo vetëm pankinën, por të mbetet zgjedhje e tretë nëse Karlsruhe vendos të blejë Kenedi.