E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka-Topi, takim në Presidencë

Kreu i FSHF-së, Armand Duka ka zhvilluar dje në takim të paparalajmëruar në zyrën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Gjithçka ka ndodhur në mënyrë surprizë dhe sipas burimeve në federatë ka qenë kreu i shtetit ai që ka ftuar drejtuesin e futbollit shqiptar. Detajet e bisedës janë mbajtur sekrete nga të dyja palët, madje ajo nuk është shënuar as në protokollin zyrtar të takimeve. Nuk dihet nëse vizita lidhet me konfliktin FSHF-qeveri, që është tensionuar përsëri pas dy humbjeve të kombëtares në eliminatoret e Euro 2008 (2-4 me Bjellorusinë dhe 6-1 me Rumaninë).

Burime zyrtare të federatës e kanë cilësuar këtë takim si thjesht miqësor dhe mjaft pozitiv. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kreu i federatës, Duka, që nuk ka preferuar të japë shumë detaje, duke e cilësuar gjithçka ndodhi si bisedë mes dy njerëzve të futbollit. "Presidenti i Republikës është gjithmonë pranë futbollit", deklaroi ai, gjatë prezantimit të trajnerit të ri të kombëtares, Ari Han. "Ne jemi takuar vazhdimisht në fusha futbolli apo jashtë saj. Sot (dje) me Presidentin e Republikës jemi takuar si njerëz të futbollit dhe nuk ka qenë një bisedë për të pasur konkluzione". E njëjta mungesë informacioni është ndeshur edhe pranë institucionit të Presidencës: "Ishte një takim informal, i cili nuk është regjistruar në protokoll, kanë pohuar burime të brendshme. Kjo nuk është hera e parë që Presidenti Topi pret personalitete të ndryshme në takime private. Në të kaluarën, biseda të tilla ka pasur edhe me personalitete të jetës politike në vend. Kjo nuk është çudi". Spekulimet për këtë takim nuk kanë munguar dhe shkak është bërë "lufta e ftohtë" që ekziston ndërmjet Federatës së Futbollit dhe qeverisë. Pak javë më parë, Kryeministri Berisha dhe ministri i Sporteve, Pango, kanë hedhur dyshime të forta pas humbjeve turpëruese të përfaqësueses kuqezi, fillimisht me Bjellorusinë në "Qemal Stafa" dhe më pas me Rumaninë në Bukuresht. Ata kanë deklaruar publikisht se ndeshjet kanë qenë të shitura dhe se kanë në dorë provat, të cilat do ta vërtetonin këtë (MTKRS pretendon se për momentin ato nuk janë bërë publike, për të mos kompromentuar hetimet). Nuk përjashtohet që Presidenti Topi (njihet si një person i pasionuar me futbollin dhe ka marrëdhënie të mira me disa prej personaliteteve të sportit) mund të ndërhyjë për të gjetur dialogun mes palëve. Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që Presidenti i Republikës takohet në zyrën e tij me persona pranë futbollit. Në nëntor 2007, ai ka pritur edhe ish-trajnerin e kombëtares, Oto Bariç, ku ndër të tjera i kishte kërkuar të vazhdonte punën e mirë që po bënte në krye të kombëtares shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›