Apeli i Al Kaedës: Bushin priteni me bomba
Adam Gadahn Azzam, një kalifornian i konvertuar në mysliman, anëtar i "Al Kaedës", është autor i një apeli të shpërndarë në internet, që po ngjall alarm dhe polemika në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 29-vjeçari i rritur në Kaliforni dhe i vendosur në Pakistan që në 1998-ën, në një mesazh në gjuhën angleze, nxit atentate ndaj jetës së Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, në udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme, që do të fillojë të martën. "I drejtohem vëllezërve tanë muxhahedinë në Palestinë dhe më tej, ta presin Bushin jo me lule dhe duartrokitje, por me bomba dhe eksplozivë", thotë ai, në një video që zgjat 50 minuta të transmetuar në sajtin xhihadist As-Sahab. I njohur si "Azzam amerikani", në të shkuarën ai ka kërcënuar edhe herë të tjera Shtetet e Bashkuara, duke premtuar "tmerre" shumë herë më të mëdha se ai i 11 shtatorit 2001. Presidenti amerikan Xhorxh Bush do të vizitojë Izraelin më 9 janar dhe do ta mbyllë vizitën e tij në rajon më 16 janar. Ai do të vizitojë edhe Egjiptin ku do të takohet me Presidentin Hosni Mubarak.