E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeorgjia ecën drejt balotazhit

Ndryshon skenari nga ora në orë ndërkohë që numërimi i votave ecën ngadalë. Deri mbrëmjen e djeshme, Presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili kishte siguruar 48.55 për qind të votave, ndërsa rivali kryesor i tij, Levan Gacecishvili, ishte ringritur në kuotën 26.12 për qind. E nëse deri në fund do të vazhdojë një raport i tillë, presidencialet gjeorgjiane do të shkonin në një raund të dytë, më 19 janar. Gjithsesi duhet pritur, pasi deri në orën 21:00, me orën lokale, 25 orë pas mbylljes së votimeve, vetëm një e pesta e votave ishte numëruar dhe skenari mund të ndryshojë përsëri. Exit poll-et e para gjithsesi flisnin për fitoren e sigurt të Presidentit aktual, Saakashvili, që në raundin e parë. Fitorja ende e pasigurt e liderit të "Revolucionit të trëndafilave", u përshëndet nga vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së, të cilët folën për "një triumf të demokracisë" por, u kundërshtua nga opozita e udhëhequr nga Levan Gacechiladze, që flet për manipulime dhe që ka mbledhur në shesh militantët dhe simpatizantët në një manifestim proteste. Mijëra persona kanë sfiduar të ftohtin në sheshin Rike, në kryeqytetin Tbilisi, për të thënë fjalën e tyre. Manifestimi ishte paqësor dhe policia ka qëndruar larg. Sheshi ishte mbushur me flamuj të bardhë dhe portrete të Gacechiladzes, i cili përsëriti edhe një herë se zgjedhjet nuk kishin qenë të rregullta. Por, nuk mendojnë kështu vëzhguesit e OSBE-së. Në një konferencë për shtyp ata kanë dhënë një vlerësim pozitiv për zgjedhjet të cilat i kanë cilësuar në përputhje me rekomandimet dhe standardet për zgjedhje demokratike. Ndërsa amerikani Alcee Hastings ka folur për një hap triumfal në rrugën demokratike, shefi i misionit të ODHIR-it, Dieter Boden, ka qenë më i kujdesshëm dhe ka shtyrë për në shkurt raportin përfundimtar. Ai ka folur gjithsesi për një lloj presioni gjatë fushatës dhe është ankuar për ngadalësinë në numërimin e votave. Ndërsa shefi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Matias Eorst, ka lëshuar një apel për liderët politikë, të cilëve i kërkon të respektojnë rezultatet, cilado qofshin ato. Në anën tjetër, Ministria e Jashtme ruse, i ka gjykuar "të sipërfaqshme" vlerësimet e vëzhguesve të OSBE-së. Ndërkohë, që mbrëmjen e së shtunës, Saakashvili pati shpallur fitoren e tij. Gjithsesi, cilido qoftë rezultati përfundimtar, shifrat janë shumë të largëta nga ai 96 përqindësh, me të cilin në 2004-ën ai u ngjit në pushtet. Mbetet vetëm të pritet tani për të parë se si do të interpretohet rezultati në frontin e brendshëm. Ekziston frika për një tjetër tensionim të situatës, e ngjashme me atë të nëntorit kur palët kundërshtare mbushën sheshet dhe policia u hodh në veprim për të shpërndarë protestuesit, e gjithë kjo e pasuar me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›