PDK: Një tryezë e re për reformën në drejtësi dhe zgjedhjet
Partitë politike duhet të ulen në një tryezë të përbashkët për të rënë dakord për realizimin e reformave ne vend. Propozimi është bërë dje nga Partia Demokristiane, nëpërmjet nënkryetarit të kësaj partie, Sokol Frroku. Sipas nënkryetarit demokristian, partitë politike duhet të japin konsensus për reformën zgjedhore, për realizimin e plotë të reformës në sistemin gjyqësor, për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës, për luftën antikorrupsion dhe për çështje të tjera, të cilat sipas PDK-së, duhet të tejkalojnë interesat e ngushta partiake, për të vënë në qendër interesat e Shqipërisë. Për drejtuesit e PDK-së, kjo nismë duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe si e tillë mund të drejtohet edhe nga Presidenti i Republikës, i cili kohët e fundit ka ndërmarrë disa nisma të tilla, por ka shtuar ai, tryeza mund të drejtohet edhe nga komisionet përgjegjëse parlamentare për integrimin në NATO ose nga vetë tryeza e kryetarëve të partive politike parlamentare. Nënkryetari i demokristianëve, ka theksuar se i takon mazhorancës të bëjë propozimet konkrete dhe opozitës të bashkohet me to, për të kaluar nga faza e retorikës në veprimet konkrete të reformave. PDK, tha nënkryetari Frroku, është e vendosur të punojë aktivisht në realizimin e këtij projekti, i cili do të sjellë më shumë stabilitet politik, forcim të kulturës demokratike dhe ecje të shpejtë përpara në drejtim të realizimit të reformave, si parakushte për bashkimin e ardhshëm me familjen euroatlantike.
Për nënkryetarin e PDK-së, realizimi i reformave në vend është mjaft i rëndësishëm për vetë faktin se nga realizmi i tyre varet dhe ftesa për anëtarësimin në NATO në pranverë të këtij viti. "Integrimi euroatlantik është premtim dhe prioritet i pandryshuar i të gjitha forcave politike parlamentare, si dhe interesi ynë kombëtar", është shprehur nënkryetari i PDK-së, Frroku. Sipas tij, tani ka ardhur koha që politika të mbajë premtimet e dhëna dhe të veprojë konkretisht në favor të integrimit. Siç dihet, vlerësimi për kërkesën shqiptare do të bëhet në Samitin e NATO-s në pranverë, por ndërkohë që është përmbushur kriteri ushtarak, mbetet ende edhe kriteri politik. Ndaj ka theksuar ai, duke pasur në konsideratë ftesën për anëtarësimin në NATO, partitë politike të pozitës dhe opozitës duhet të bien dakord për kryerjen e të gjitha reformave që mundësojnë marrjen e ftesës për anëtarësim, si reforma në sistemin gjyqësor, reforma zgjedhore, masat ligjore antikorrupsion, si dhe për realizimin e plotë të reformës në prokurori dhe zgjidhjen e çështjes së pronave. Me nisjen e sesionit të ri parlamentar pritet të nisë puna edhe për realizimin e këtyre reformave, të cilat politika shqiptare nuk arriti t‘i realizojë në vitin 2007, megjithëse i kishte premtuar.