E Diel, 1 Nëntor 2026

Ibrahimoviç, kundërshtari i parë në Tiranë

Aventura e Shqipërisë në Grupin 1 eliminator të Botërorit 2010 do të startojë përballë Suedisë. Përfaqësuesja nordike, e udhëhequr nga Zlatan Ibrahimoviç, do të zbresë në Tiranë më 6 shtator. Në këtë mënyrë delegacioni shqiptar në Kopenhagen, i përbërë nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, dhe nga trajneri Ari Han, ka arritur atë që kërkonte: takimin e parë në shtëpi dhe një kundërshtar të madh. "Personalisht, por mendoj se edhe trajneri Han e mendon në këtë mënyrë, jemi të kënaqur për shortin që u përcaktua në kryeqytetin e Danimarkës", ka deklaruar Duka. "Objektivi ynë ishte që ndeshjen e parë ta luanim në shtëpi, kundër një skuadre të fortë dhe kjo u realizua. Fakti që do të presim Suedinë në fushën tonë na ndihmon për të filluar mbarë aktivitetin, por në të njëjtën kohë na ndihmon edhe nga pikëpamja financiare. Interesimi për sfidën e 6 shtatorit do të jetë i madh, jo vetëm nga ana e tifozëve, por edhe për sa i përket të drejtës televizive, pasi luajmë ndaj Suedisë së Ibrahimoviçit". Arritja e dytë lidhet me takimin e dytë në grupin eliminator: më 10 shtator kuqezinjtë do të luajnë sërish në shtëpi, kësaj radhe me Maltën. "Edhe ndeshjen e dytë e kemi në fushën tonë, por kësaj radhe kundërshtar është Malta. Ky fakt na ndihmon shumë, vazhdoi më tej kreu i FSHF-së, pasi kjo përfaqësuese është një kundërshtar me të cilin pretendojmë të marrim pikët maksimale. Gjithsesi, jemi të përqendruar të marrim rezultat pozitiv edhe kundër Suedisë, edhe pse ata janë një kundërshtar shumë i fortë".

E vetmja pjesë e "planit", e cila nuk u realizua ishte dëshira e trajnerit, por edhe e drejtuesve të FSHF-së, që në pesë ndeshjet e para, tri të zhvilloheshin në fushën tonë. Në tetor (më 11 dhe 15), Shqipëria do të ketë dy transferta të vështira, fillimisht në Hungari dhe më pas në Portugali. Në këto dy sfida pretendimi është për rezultat pozitiv vetëm kundër hungarezëve, të cilët janë etiketuar si kundërshtari i kuqezinjve në grup për vendin e katërt. Por, sipas shortit, skuadra e drejtuar nga Ari Han do të luajë sërish jashtë fushe. Ndeshja do të luhet më 11 shkurt, në Maltë, datë që është lënë e lirë nga UEFA për të zhvilluar miqësore. Duka ka shpjeguar edhe arsyet e këtij vendimi, i cili është marrë në sinkron me homologët maltezë: "Në mbledhje ramë dakord që ndeshjen ndaj Maltës ta luajmë në një datë të lirë nga UEFA. Në atë kohë të gjitha kombëtaret e tjera do të zhvillojnë miqësore dhe objektivi ynë ishte që ta lehtësonim disi skuadrën nga kalendari i ngjeshur". Për të parë Portugalinë dhe yjet e saj në Shqipëri duhet pritur deri më 6 qershor 2009, ndërkohë që edicioni i kuqezinjve (përveç ndonjë mrekullie dhe kualifikimit në "play-off") do të mbyllet më 14 tetor 2009 në Suedi.

Kalendari i plotë i ndeshjeve

6 shtator 2008

Hungari-Danimarkë

Maltë-Portugali

Shqipëri-Suedi

10 shtator 2008

Portugali-Danimarkë

Suedi-Hungari

Shqipëri-Maltë

11 tetor 2008

Danimarkë-Maltë

Suedi-Portugali

Hungari-Shqipëri

15 tetor 2008

Malta-Hungari

Portugali-Shqipëri

11 shkurt 2009

Maltë-Shqipëri

28 mars 2009

Maltë-Danimarkë

Portugali-Suedi

Shqipëri-Hungari

1 prill 2009

Hungari-Maltë

Danimarkë-Shqipëri

6 qershor 2009

Suedi-Danimarkë

Shqipëri-Portugali

10 qershor 2009

Suedi-Maltë

5 shtator 2009

Hungari-Suedi

Danimarkë-Portugali

9 shtator 2009

Shqipëri-Danimarkë

Maltë-Suedi

Hungari-Portugali

10 tetor 2009

Portugali-Hungari

Danimarkë-Suedi

14 tetor 2009

Portugali-Maltë

Suedi-Shqipëri

Danimarkë-Hungari

14 nëntor 2009

play-off

18 nëntor 2009

play-off

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›