Ministria e Brendshme: 15 mijë karta identiteti brenda 2008
Prodhimi dhe shpërndarja e kartave të identitetit, një ndër projektet më madhore të Ministrisë së Brendshme, pritet të realizohet brenda vitit 2008. Karta e identitetit do të jetë një sistem modern dhe mjaft i sigurt. Sistemi qendror i përpunimit të të dhënave dhe i personalizimit të kartës do të ketë një kapacitet minimal përpunues prej jo më pak se 15 mijë karta në ditë. Dokumenti i identitetit do të jetë sipas standardeve ndërkombëtare dhe me aplikimin e kësaj karte do të rritet në mënyrë të dukshme siguria publike, do të parandalohen veprimtaritë kriminale, do të reduktohet vjedhja e identiteteve dhe do të krijohet besimi në sektorin privat dhe publik për shkak të përdorimit të tyre. Projekti i dokumentit të identitetit do të arrijë të realizojë prodhimin dhe shpërndarjen e një dokumenti të besueshëm identiteti për çdo shtetas shqiptar. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, pajisja e shtetasve shqiptarë me kartën e identitetit do të realizohet brenda këtij viti.