E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara në Nju Hempshajër, Obama në avantazh

Barak Obama është në avantazh. Hillari Klinton, në pikiatë. Për tre nga katër sondazhet e kryera pas primareve të Ajouas, Barak Obama rezulton favoriti i madh edhe në Nju Hempshajër, ku nesër do të zhvillohet prova e dytë e zgjedhjeve paraprake. Sondazhi i katërt parashikon ndërkohë barazim mes senatorit të ri të Illinoisit dhe Hillari Klintonit, një e dhënë kjo aspak e kënaqshme për ish-zonjën e parë, që deri një javë më parë konsiderohej fituese e padiskutueshme. Fitorja e Obamës në Ajoua, rrezikon të shkatërrojë karrierën presidenciale të Hillari Klintonit, shkruajnë mediat ndërkombëtare, që pasqyrojnë edhe sondazhet e fundit. Sipas qendrës së kërkimeve "Rasmussen" dhe "American research Group", kandidati me ngjyrë ka një avantazh prej 10-12 pikësh. Nëse kjo do të jetë e vërtetë, disfata për senatoren e Nju Jorkut do të jetë akoma më djegëse se ajo e së enjtes së shkuar, kur me 29.5 për qind të votave u rendit e treta dhe u la pas madje edhe nga Xhon Eduards, me 30 për qind të votave. Në kampin republikan, në Nju Hempshajër, favoriti i madh është Xhon MekKein, që mund të marrë pesë për qind më shumë se ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romnej, i mundur keq në Ajoua por që ka fituar primaret republikane në Uajoming. Nuk parashikohen rezultate të kënaqshme për Majk Hakëbi, fituesin e Ajouas dhe as për ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudolf Xhuliani. Por duke u kthyer te demokratët, përveç sondazheve, Klinton duhet të përballet edhe me një tjetër armik: kandidatin rival Xhon Eduards, sipas të cilit senatorja e Nju Jorkut duhet të eliminohet nga gara për nominimin e partisë. Ish-senatori i Karolinës së Veriut nuk e fsheh aspak këtë, por thotë se nuk ka një koordinim të mundshëm me kolegun e partisë, Barak Obama, dhe as një strategji për të luftuar së bashku kundër saj. Zjarri vjen nga të gjitha anët dhe ish-zonja e parë e ka gjetur veten në një pozicion aspak komod në debatin mes kandidatëve, dy ditë më parë, në Nju Hempshajër. "Nuk është një aleancë", ka shpjeguar Eduards, "nuk kishim biseduar aspak për këtë. Por, kur dëgjova senatoren të sulmonte Barakun dhe të fliste për ndryshimin e Amerikës, ajo që është fytyra e status quo-së, ndërhyra". "Unë dhe Obama kemi shumë gjëra të përbashkëta. Të dy përfaqësojmë ndryshimin, Klinton, të kaluarën", tha Eduards.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›