E Diel, 1 Nëntor 2026

Apeli refuzon ekstradimin e Arjan Selimit

Arjan Selimi, i cili po gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve nuk do të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjykata e Apelit në kryeqytet ka rrëzuar dje kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e Selimit në SHBA, me argumentimin se vepra penale për të cilën ai është duke u gjykuar në Shqipëri është më e rëndë dhe gjykimi i tij është në proces. Për shkak të mospërfundimit të këtij gjykimi, Apeli ka vendosur ta rrëzojë kërkesën për ekstradim. Një vendim të tillë për të akuzuarin si kreu i grupit "Kompas" është marrë edhe në muajin maj të këtij viti nga Gjykata e Shkallës së Parë të rrethit Tiranë. Edhe në këtë rast togat e zeza kanë vendosur që Selimi nuk mund të vihet në dispozicion të drejtësisë amerikane, pa përfunduar procesin gjyqësor për trafik narkotikësh.

Selimi, i njohur ndryshe edhe me emrin Armand Andoni, është shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi akuzohet për veprën penale të shitjes së 1 toni hashash në një universitet në Miçigan. Sipas kërkesës së bërë nga amerikanët, pas ngritjes së akuzave ai kishte mundur të largohej, duke i shpëtuar policisë dhe duke u rikthyer në Shqipëri, pas identifikimit të vendndodhjes së tij. Drejtësia amerikane ka kërkuar që ai të ekstradohet, kërkesë e cila bazohet në një marrëveshje që ekziston midis dy vendeve për procedurat e ekstradimit të personave në kërkim. Por, gjykatat shqiptare në dy raste kanë vendosur moszbatimin e kësaj kërkese, për shkak të problemeve që Selimi ka tashmë edhe me drejtësinë shqiptare.

Në qershor të 2004-ës, pas një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u arrestuan gjashtë persona dhe shoqëruan 12 të tjerë të akuzuar për përfshirje në një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës. Materialet kryesore që u përdorën nga prokuroria për të akuzuar këta persona, kishin ardhur nga Italia, ku grupi dukej se kishte pasur pjesën më të madhe të aktivitetit kriminal. Provat kryesore kanë qenë përgjimet telefonike të kryera kryesisht nga policia italiane. Por, gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të Blenard Fejzullait, Muhamet Fejzullait, Arjan Shabanit, Fatmir Kuçit, Dritan Kuçit, Kujtim Popoçit, Armand Andonit dhe Petraq Avramit, të pandehurit i kanë mohuar akuzat. Madje, Selimi ka pretenduar se zëri që ishte regjistruar nga policia italiane nuk ishte zëri i tij. Pas eksperimentit që gjykata bëri në sallën e gjyqit, specialistët përkatës deklaruan se nga ekspertimi i zërave ka pak mundësi që zëri i përgjimeve të ishte zëri i Selimit, duke i dhënë një shans të mirë mbrojtjes së të pandehurit që t‘i kundërshtojë më me forcë akuzat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›