E Diel, 1 Nëntor 2026

Radha në Kapshticë shkon në 5 kilometra

Mungesa e sporteleve nga pala greke ka bërë që mbrëmjen e djeshme me qindra emigrantë shqiptarë të prisnin në radhë nga ana tjetër e Doganës së Kapshticës. Kështu, gjatë pasdites së djeshme është rritur ndjeshëm numri i emigrantëve të ardhur nga Greqia drejt Shqipërisë për festat e fundvitit, kësisoj, pala greke ishte gjendur e papërgatitur për një fluks të tillë. Gjatë ditës së djeshme, ana tjetër e kufirit ka punuar vetëm me një sportel, ndërkohë që radha e makinave të emigrantëve ka arritur deri në 5 kilometra. Dritan Shema, komandant i pikës kufitare të Kapshticës, së bashku me kryetarin e Doganës së Kapshticës, kanë kërkuar një takim me palën greke, ku i kanë parashtruar kërkesën e shtimit të sporteleve. Ndërkohë, nga pala greke iu është thënë se vonesa deri tani ka si shkak kohën që duhet për hedhjen e të dhënave në kompjuter, duke mos u mjaftuar vetëm me vulosjen e pasaportave. Sipas të dhënave, gjatë ditës së djeshme kanë hyrë 3600 persona, ndërkohë që edhe gjatë natës pritet të ketë fluks.

Pas takimit të dy homologëve është vendosur që të shtohen dhe dy sportele të tjerë, në mënyrë që të mos krijohen më radhë të gjata.

Lëvizja e emigrantëve shqiptarë në kufirin shqiptaro-grek që kthehen në atdhe për të festuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri çdo ditë, vjen duke u rritur edhe në Kakavijë. Sipas të dhënave të policisë kufitare, fluksi në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës ka qenë i madh, por lëvizja është normale. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 3247 shtetas dhe 758 automjete.

Ndërkohë, sipas burimeve nga pikat e kalimit të kufirit, mësohet se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë edhe më shumë persona që do të vijnë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për kalimin e festave të fundvitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›