Apeli rikthen Tepelenën
Komisioni i Apelit në FSHF ka vendosur të kthejë përsëri në aktivitet skuadrën e Tepelenës, vetëm një javë pas përjashtimit të këtij ekipi nga Kategoria e Parë. Pas ngjarjeve të dhunës të ndodhura në ndeshjen kundër Pogradecit, ku përveç gjyqtarëve të ndeshjes u goditën edhe futbollistët miq, mendohej se FSHF do të aplikonte masën më të ashpër për Tepelenën. Nëse Komisioni i Disiplinës ka ruajtur këtë masë ekstreme duke parashikuar përjashtimin e menjëhershëm dhe rënien direkte nga kategoria, Apeli ka vendosur të falë skuadrën, e cila aktualisht renditet në vendin e fundit në Kategorinë e Parë. "Komisioni vendosi të ndryshojë vendimin e Komisionit të Disiplinës në datës 13.02.2008 duke e dënuar përfundimisht klubin e futbollit Tepelena për 1 (një) vit që ndeshjet t‘i zhvillojë në fushë asnjanëse", ishte vendimi i djeshëm i Komisionit të Apelit. Në këtë mënyrë, FSHF ka shmangur probleme të mundshme në të ardhmen, si në rastin e Burrelit, kur ky ekip u përjashtua nga Kategoria e Parë, por më pas u kthye pasi fitoi në KAS të Lozanës. Duket se edhe tepelenasit kishin kërcënuar se do ta çonin çështjen në gjykatat ndërkombëtare ndaj FSHF ka vendosur që ta mbajë ekipin në Kategorinë e Parë, ndonëse tashmë do ta ketë shumë më të vështirë të mbijetojë. Përveç detyrimit për të luajtur ndeshje jashtë fushës së saj, Tepelenës do t‘i mungojnë për një periudhë të gjatë disa lojtarë dhe stafi teknik, protagonistë në dhunën ndaj gjyqtarëve.