Planifikohet "goditja përfundimtare" kundër kurdëve
Turqia po shqyrton mundësinë për një operacion tokësor kundër rebelëve kurdë me bazë në Irakun Verior. Lajmi është bërë i ditur nga transmetuesi "CNN Turk", i cili citon ministrin e Jashtëm turk, Ali Babaxhan. "Opsioni i një operacioni tokësor është në tryezë. Koha e një operacioni të tillë dhe kushtet e motit, janë të rëndësishme", thotë Babaxhan. Turqia ka vendosur, ndërkohë, mijëra trupa në kufirin malor të saj me Irakun. Ajo ka kryer deri më tani disa operacione komandosh, përtej kufirit, por të një shkalle të vogël, si edhe një numër bombardimesh ajrore mbi pozicionet e anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK). Më herët, këtë muaj, avionët turq bombarduan 70 shënjestra të PKK-së brenda Irakut në një nga operacionet më të mëdha dhe Kryeministri Rexhep Taip Erdogan tha se do të vazhdonte fushata ndërkufitare deri në fitore. Edhe më herët, forcat e armatosura turke kanë kryer operacione kundër rebelëve të PKK-së brenda Turqisë, në pranverë kur edhe dëbora në male shkrin. Mediat turke ndërkohë shkruanin të hënën se forcat e armatosura po planifikonin nisjen e një operacioni tokësor në Irakun e Veriut, në mesin e marsit, çka edhe do të përbënte një goditje përfundimtare kundër rebelëve. Ankaraja, fajëson rebelët kurdë për vdekjen e rreth 40 mijë personave që kur grupi nisi betejën e tij të armatosur për një atdhe etnik në Turqinë Juglindore, në vitin 1984. Ashtu si Turqia, edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, e konsiderojnë PKK-në një organizatë terroriste edhe pse Ankaraja shpesh akuzon aleatët e saj se nuk bashkëpunojnë në luftën kundër organizatës.