Fidel Kastro: "Lamtumirë" pushtet
Lideri i plakur dhe i lodhur i Kubës, Fidel Kastro, bëri të ditur të martën se nuk do të kthehej më në udhëheqjen e vendit komunist, duke u tërhequr kështu si President 49 vjet pasi mori pushtetin nëpërmjet revolucionit, duke u shndërruar në figurën qendrore të Luftës së Ftohtë. 81-vjeçari Kastro, që nuk është shfaqur në publik që pas një ndërhyrjeje kirurgjikale rreth 19 muaj më parë, tha se nuk do të kërkonte një mandat të ri si President apo si lider i forcave të armatosura të Kubës kur Asambleja Nacionale të mblidhet, të dielën. "Bashkatdhetarëve të mi, që më nderuan jashtëzakonisht shumë kohët e fundit duke më zgjedhur anëtar të Parlamentit, u them se nuk aspiroj dhe as pranoj, përsëris, nuk aspiroj dhe as nuk pranoj, pozicionin e Presidentit të Këshillit të Shtetit dhe kryekomandantit", theksonte Kastro në një deklaratë të botuar nga gazeta e Partisë Komuniste, "Granma". Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, që ka forcuar akoma më tej embargon ekonomike që rëndon mbi qeverinë e Kastros prej dekadash, tha se ai shpreson që tërheqja e tij të shënojë një erë të re në Kubë. "Unë shpresoj që pas tërheqjes së Fidel Kastros të fillojë një periudhë tranzicioni demokratik", tha Bush nga Ruanda ku gjendet në etapën e tretë të një turi afrikan. "Sigurisht, shpresoj që ky tranzicion të çojë në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme". Asambleja Nacionale e Kubës, pritet tani të emërojë vëllain e Kastros dhe pasuesin e paracaktuar të tij, Raulin, si President. Ministri i Mbrojtjes, 76-vjeçar, ka kryesuar në fakt vendin që pas sëmundjes së Fidelit, më 31 korrik 2006. Raul Kastro ka ngjallur shpresa për reformat ekonomike, por gjithsesi, nuk ka gjasa që ai të bëjë ndryshime të dukshme politike në shtetin njëpartiak. Fidel Kastro do të mbetet gjithsesi një figurë me ndikim si sekretar i Parë i Partisë Komuniste. "Ky është një moment vendimtar. Kuba kërkon ndryshim, njerëzit duan ndryshim", thotë Osvaldo Paja, disidenti më i njohur kubanez. Sipas tij, me Raul Kastron në krye të ishullit, kubanezët nuk do të jenë të kënaqur dhe kërkoi dhënien fund të censurës. Kubanët, në rrugët e zbrazura të Havanës, nuk u habitën nga tërheqja e Kastros, e lajmëruar fillimisht në faqen e internetit të gazetës "Granma", në mesnatë. "Të gjithë e dinin se ai nuk mund të kthehej më. Njerëzit ishin mësuar me mungesën e tij", thotë një tjetër kubanez. "Nuk di ç‘të them. Dua vetëm të largohem. Ky sistem nuk mund të vazhdojë më", thotë në anën tjetër, Aleksis, një mbledhës plehrash. Në sheshin e revolucionit, pothuajse të shkretuar, vendi i shumë e shumë fjalimeve të Kastros para turmave gjigante, një ushtar i vetëm qëndron në ruajtjen e zyrave qeveritare. Havana, ishte e qetë. Karizmatiku Kastro, kryesoi guerrilasit që zbritën nga malet e Kubës Lindore për të rrëzuar diktatorin e mbështetur nga SHBA, Fulgencio Batista, në 1959-ën. Ai më pas, e ktheu Kubën në një shtet komunist, fare pranë Shteteve të Bashkuara dhe u bë shefi i shtetit më jetëgjatë, duke ua kaluar madje edhe monarkëve. Kastro i mbijetoi pushtimit të mbështetur nga CIA të azilantëve kubanezë në të ashtuquajturin "Gjiri i Derrave" në 1961-in, u mbijetoi shumë përpjekjeve për vrasje, embargos të vazhdueshme tregtare të SHBA-së, si edhe një krize të rëndë ekonomike në vitet ‘90, pas kolapsit të bllokut komunist sovjetik. Ai luajti një rol kryesor gjatë Luftës së Ftohtë, duke e çuar botën në prag të një lufte bërthamore, në 1962-in, kur lejoi Moskën të vendoste raketat e saj balistike në Kubë, duke shkaktuar një përplasje 13-ditore mes Presidentit amerikan, Xhon Kenedi, dhe Kryeministrit të atëhershëm sovjetik, Nikita Krushov. I famshëm për fjalimet e tij të gjata, në uniformën ushtarake me ngjyrë të gjelbër, Kastro admirohet në vendet e botës së tretë për faktin se u ka bërë ballë Shteteve të Bashkuara, por konsiderohet nga kundërshtarët si një tiran që shkel lirinë. Në Kubë, mbështetësit valëvisin avancimin e vendit në fushën e shëndetësisë dhe arsimimit. Por, kritikët e kryesuar nga SHBA dhe qindra mijëra kubanezë që janë larguar nga vendi i tyre për të jetuar jashtë, thonë se ai e ka shndërruar ishullin e Karaibeve në një shtet policor dhe se politikat e tij kanë gjunjëzuar ekonominë. Kastro iu afrua shumë vdekjes në 2006-ën, por lidershipi i Kubës nuk shfaqi asnjë shenjë kolapsi gjatë krizës së tij shëndetësore. "Fatmirësisht, revolucioni ynë vazhdon të ecë përpara dhe gardianët e vjetër, por edhe të tjerë që ishin shumë të rinj në fazat e para të procesit, do ta vazhdojnë atë", tha Kastro në deklaratën e djeshme. Ai është parë vetëm në fotografi dhe sekuenca filmike të regjistruara, në dukje i lodhur dhe i brishtë, që pasi ia dorëzoi pushtetin vëllait të tij. Shëndeti i tij është përmirësuar aq sa ai ka mundur edhe të presë vizita nga aleatët e tij të huaj dhe të shkruajë një numër artikujsh të publikuar në shtypin shtetëror të Kubës. "Kjo nuk është lamtumira ime. Dëshira ime e vetme është të luftojë si një ushtar, në betejën e ideve. Unë do të vazhdoj të shkruaj nën okelion, ‘Reflektime të shokut Fidel‘. Kjo do të jetë edhe një tjetër armë ku ju mund të mbështetemi. Ndoshta zëri im do të dëgjohet dhe unë do të jem i kujdesshëm", shkruante më tej Kastro. Raul Kastro, ka shtuar shpresat për reforma ekonomike që do të përmirësonin jetën e shumë kubanezëve që nga koha kur mori në duar pushtetin, por ende nuk ka bërë asgjë konkrete.