"Shqipëria ishte një zbulim për mua"
"Shqipëria është një zbulim për mua". Kanë qenë këto fjalët e para që ka thënë Francesko Frangiali, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, kur ai ishte duke e parë Sarandën paraditen e djeshme nga maja e Lëkurësit. Francesko Frangiali, i shoqëruar edhe nga zonja Kordula Uohlmuther, zëvendëspërfaqësuese rajonale për Evropën, është shprehur i kënaqur që ka vizituar Sarandën dhe rajonin. Impresioni i parë ka qenë se është gjendur përpara një aseti fantastik dhe një rajoni "që është bekuar nga Zoti". Por, nga ana tjetër, zoti Frangiali ka vlerësuar se "kjo vijë bregdetare është nga të paktat në Mesdhe që nuk janë zhvilluar ose janë zhvilluar shumë pak", konstatim që ai e ka shoqëruar me këshillën për ta ruajtur dhe zhvilluar në bazë të një plani dhe me kontroll, që turistëve t‘u bëhet e mundshme një vizitë sa më e këndshme dhe e shpejtë. "Shpresoj - tha ai - që vizita ime të mund të kontribuojë në këtë dhe ky do të ishte një sukses".
Duke kaluar një për një me këmbë nëpër monumentet e qytetit antik të Butrintit, zoti Frangiali, që është një nga personalitetet më të rëndësishme të turizmit botëror, ndërkohë që, u shpreh për mediat se "këto që sapo pamë janë vërtet shumë të rëndësishme dhe një arsye për bumin e madh të turizmit, që pritet të ndodhë në Shqipëri. Ai ka veçuar si vlerë jo vetëm monumentet, por edhe faktin e funksionimit të këtij qyteti me të gjithë aksesorët rreth e qark, "Është e meritë e madhe që një qytet antik të gjendet i rrethuar nga të gjitha anët me vlera të tilla të padiskutueshme", ishte vlerësimi i tij, që e ka bërë të shprehet i sigurt se kjo do të jetë një pikë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit jo vetëm në Sarandë, por edhe në gjithë vendin.
Në nëntekstin e zhvillimeve turistike që do të pësojë rajoni, ai ka rekomanduar që bashkia dhe pushteti qendror t‘u paraprijë atyre me infrastrukturë.
Gjatë vizitave në Sarandë e Butrint, zoti Frangiali ka qenë në shoqërimin e ministrit shqiptar të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, si dhe nga prefektja Elsa Gjini e nga kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka. "Kjo vizitë u bë me ftesën dhe insistimin tim, madje për të pasur jo thjesht një ditë në dispozicion, por dy ditë, pasi me një ditë nuk do mund të arrinte dot të shihte gjithë mrekullitë e natyrës dhe njëkohësisht asetet kulturore, trashëgiminë kulturore shumë të pasur që ne kemi", u shpreh Pango. Kjo ka qenë arsyeja që u fillua me Krujën e Tiranën, u vazhdua me Durrësin e me Sarandën, Lëkurësin e Butrintin, për të vijuar me Porto Palermon, Himarën, Dhërmiun, Vlorën dhe sërish Durrësin.