Shala: Lorik Cana do të vazhdojë me Shqipërinë
Pas shpalljes së pavarësisë, një nga çështjet e ditës në Kosovë është edhe debutimi i kombëtares së futbollit në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, duket më parë se duhet zgjidhur çështja e trajnerit, pasi tashmë ka filluar një garë e fortë për drejtimin e përfaqësueses, që aktualisht mbahet nga Edmond Rugova. Një kandidat shumë i fortë duket Kujtim Shala, i cili ka pasaportë kroate. "Për debutimin e kombëtares kosovare, një ndeshje miqësore me Kroacinë do të ishte ideale. Mendoj se është e mundur", tha Shala, duke parashikuar një sfidë në Prishtinë, për kombëtaren e shtetit më të ri në Evropë. Shanset që Shala të marrë drejtimin e skuadrës janë mjaft të mëdha, edhe sepse mes tij dhe presidentit të ri të Federatës Kosovare, Fadil Vokrri, ekziston një pakt: "Fadil Vokrri u zgjodh president i FFK-së dhe kemi vendosur se unë do të jem trajneri i ardhshëm i kombëtares, shtoi ish-lojtari i Partizanit. Nëse nuk do të ketë shumë të papritura, atëherë do ta kem këtë nder". Më tej, Shala ka folur edhe rreth planit që ka për të mbledhur futbollistët, ku e prekur e drejtpërdrejtë është edhe kombëtarja shqiptare. Në rast se do të emërohet trajner, ai do t‘u kërkojë të gjithë lojtarëve me origjinë kosovare që militojnë në kombëtaret e vendeve të tjera që të bëhen pjesë e skuadrës së tij. Ndërkohë që ka zbuluar diçka mjaft interesante për mesfushorin e Olimpik Marsejës, Lorik Cana. "Loriku ka vendosur që të vazhdojë përfaqësimin me Shqipërinë, nuk mund të bëjmë asgjë rreth kësaj", pohoi Shala. Megjithatë, të gjithë futbollistët kosovarë që mbrojnë ngjyrat kuqezi (Beqaj, Dallku, Curri, Cana, Berisha, Rustemi) kanë bërë të ditur se më parë do të përfundojnë eliminatoret për Botërorin 2010 me Shqipërinë, e më pas do të mblidhen për të vendosur se cilën kombëtare do të përfaqësojnë.
Pavarësisht kësaj, zyrtarët e Federatës Kosovare të Futbollit (FFK), ende nuk kanë vendosur nëse do të ndryshojnë apo jo trajnerin. Kreu i këtij institucionit, Fadil Vokrri, ka konfirmuar se të paktën për momentin, posti i drejtuesit të stolit të Kosovës do të mbahet nga Edmond Rugova. Mirëpo, ai nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen skuadra të ketë një trajner tjetër. "Për momentin kemi gjëra më të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, tha ai. Rugova mbetet trajneri i përfaqësueses. Së shpejti do të krijojmë këshillin profesionist, i cili do ta vlerësojë punën e trajnerëve të interesuar për t‘u bërë selektor dhe do të vendosë cilin të zgjedhë. Pra, Rugova mbetet në këtë post, por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të ndërrohet". Kandidat tjetër për stolin është edhe Ardian Kozniku, i cili është rekomanduar nga ish-trajneri i Prishtinës, Çiro Bllazheviç, që e ka nxjerrë veten nga gara.