Fidel Kastro, një jetë rekordesh "Guinness"
Fidel Kastro ka qenë lideri politik më jetëgjatë në histori: nga gjithsej 81 vitet e tij ka kaluar plot 48 në pushtet. Kanë qenë të panumërt ata që i kanë shpallur luftë dhe që kanë tentuar ta rrëzojnë, por nuk ia kanë dalë mbanë. Kur Fideli i dha fund diktaturës së Batistas, në 59-ën, në udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik ishte Nikita Krushov, ndërsa në Vatikan, Papë, ishte Gjon Pali i 23-të. 32 vjet më vonë, Kastro pa shembjen e Bashkimit Sovjetik që padyshim u shoqërua edhe me pasoja ekonomike katastrofale për Kubën. Pas Mikail Gorbaçovit, Presidentit që shkriu Bashkimin Sovjetik, Kastro ka pritur në Havanë, Vladimir Putinin, Presidentin aktual të Rusisë. Ndërkohë, gjatë gjysmëshekulli ai është takuar me mareshalin Tito, Salvador Alenden, Indira Gandin, Nelson Mandelën, Jaser Arafatin dhe një tjetër Papë, Karol Vojtilën, Papa i Parë (ai që mundi komunizmin) që zhvillonte një takim ballë për ballë me liderin revolucionar, në ishullin e tij. Numërohen edhe të paktën dy rekorde të tjera të denja për "Guinness": Fideli ka mbajtur fjalimin politik më të gjatë në historinë e politikës, plot gjashtë orë e 15 minuta, përpara Parlamentit kubanez më 24 shkurt 1998. Rekordi tjetër ka të bëjë me atentatet kundër tij: Për ta vrarë janë hartuar mbi 637 plane. Të gjithë, pa sukses.
50 vitet e rrugëtimit të Fidel Kastros kanë qenë të mbushura me ngjarje që shpesh kanë pasur jehonë në nivel ndërkombëtar
Kastro luajti një rol kryesor gjatë Luftës së Ftohtë, duke e çuar botën në prag të një lufte bërthamore, në 1962-in, kur lejoi Moskën të vendoste raketat e saj balistike në Kubë.