"Kosova është dhe romantike"
Në një intervistë dhënë gazetës italiane "Il Mattino", shkrimtarja e njohur shqiptare, Ornela Vorpsi, ka folur për mbresat e saj të fëmijërisë dhe adoleshencës lidhur me Kosovën dhe serbët. Me rastin e shpalljes së pavarësisë, Vorpsi, një shkrimtare 39-vjeçare që prej vitesh banon në Itali e Francë dhe që ka arritur të bëjë emër me librat e saj, pyetet nga gazeta për impresionet e kësaj ngjarjeje historike jehona e së cilës vazhdon ende. Por, tej entuziazmit, ajo i frikësohet një tjetër muri të madh ndarjeje mes kombeve, duke ju përgjigjur pyetjes se si e kishte pritur shpalljen e pavarësisë: "Me ndjenja kundërshtie. Është një lajm që e prisja me ankth, duke pasur parasysh vuajtjet shekullore, por në të njëjtën kohë i druhem fillimit një përplasjeje të heshtur, të destinuar për të vazhduar për vite. Për këtë i referohem një klime që më rikthen në kohërat e luftës së ftohtë. Shoh sërish blloqet e vjetra njëri kundër tjetrit, të armatosur, në një luftë hegjemonish, që një kohë kishte të bënte me ideologji dhe sot lidhet me burimet energjetike. Shoh fantazmat më të këqija të viteve ‘80, përveç një ngjashmërie të ankthshme me konfliktin e Vendeve të Lindjes". Shprehet kështu shkrimtarja shqiptare për impresionet dhe mendimet që i janë vërtitur çastet e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur. Sakaq, ajo nuk pranon që shqiptarët e Kosovës e ata të Shqipërisë, të mund të jetën ana tjetër e medaljes kundrejt serbëve. Vorpsi është e mendimit se shqiptarët nuk kërkojnë me patjetër "Shqipërinë e madhe", ashtu sikurse serbët "Serbinë e madhe". Ndaj thotë: "Nuk jam dakord. Shqiptarët janë të pandjeshëm tashmë ndaj thirrjeve nacionaliste. Populli mendon më së shumti të dalë me shpejtësi nga vitet e errëta. Ndihet dëshira për mirëqenie. Shqiptarët e ndjekin çështjen kosovare me interes, por thellë-thellë e konsiderojnë si një temë romantike. Në Kosovë vlen akoma besa, etika e premtimit të lidhur nga fjala dhe shtrëngimi i dorës, ndërsa për shqiptarët është simbol i një bote
tashmë primitive". Ornela Vorpsi flet në intervistë dhe për imazhin që kishte Kosova tek ajo gjatë kohës së diktaturës kur ishte adoleshente: "vetëm një imazh të zbehtë. Shqipëria jetonte në izolim gati absolut dhe me shqiptarët e Kosovës nuk kishim kontakte të asnjë lloji. Thjesht i konsideronim më të lirë dhe më me fat se ne. Mund të udhëtonin dhe falë regjimit të Titos ishin më të hapur ndaj ndikimeve perëndimore. Unë dhe shoqet e mia lexonim romane dashurie, të shkruar nga autorë kosovarë, pasi nuk ishin të infektuar nga asnjë ndikim ideologjik, apo edukativ, ndërsa shkrimtarët shqiptarë ishin nën censurën e regjimit. Lexonim tezat mbi lirinë të filozofit Shkëlzen Maliqi dhe ëndërronim ta arrinim". Ndërsa, kur pyetet për imazhin e serbëve, Vorpsi përgjigjet: "Për ne ata përfaqësonin diçka kërcënuese dhe mitike në të njëjtën kohë. Gjyshërit e mi më tregonin histori të frikshme, në të cilat serbët ishin gjithnjë personazhet negative, të gjatë dy metra dhe që kalëronin kuaj të zinj. Imagjinata jonë mbeti e kushtëzuar nga këto histori". Këto pra ishin ndër deklarimet më pikante të shkrimtares shqiptare, Ornela Vorpsi, dhënë gazetës italiane "Il Mattino", ku u intervistua pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur.