E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han, në Tiranë për planet e kombëtares

Trajneri i kombëtares, Ari Han, ka mbërritur në Shqipëri për të vazhduar "misionin" e vëzhgimeve në Kategorinë Superiore. Rreth mesditës tekniku holandez zbriti në Aeroportin e Rinasit dhe pas një pushimi të shkurtër ka qenë i pranishëm në tribunën e stadiumit "Selman Stërmasi", ku është luajtur derbi Tirana-Dinamo. Në mes një hapësire të shkurtër, të cilën ia ka kushtuar mediave, tekniku ka saktësuar disa gjëra rreth "vizitës" në Shqipëri. "Kam ardhur në Shqipëri, për të parë 2 ndeshje nga kampionati shqiptar", deklaroi drejtuesi i stolit kuqezi. "Dua të shoh nga afër lojtarët, të cilët mendoj se do t‘i duhen kombëtares në të ardhmen". Në axhendën e tij është parashikuar që sot Han të jetë i pranishëm në ndeshjen që do të luhet në Vlorë, ku Flamurtari vendas pret Vllazninë e Mirel Josës. "Përveç derbit në Tiranë, kjo është një tjetër sfidë mjaft interesante, pasi të dyja këto skuadra kanë elementë që janë kandidatë për një vend në kombëtare. Mbi të gjitha ekipi i Vllaznisë", kanë theksuar burime pranë holandezit.

Të hënën pritet edhe takimi me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku do të diskutohet plani i punës, ku natyrisht në qendër të bisedave janë futbollistët që do të ketë në dispozicion. "Do të bisedoj edhe me drejtuesit e FSHF-së për planet tona, pra rreth futbollistëve dhe ndeshjeve miqësore që do të zhvillojmë", saktësoi Han. Qëndrimi i teknikut në vendin tonë do të jetë i shkurtër, edhe sepse ai do të rifillojë turin evropian të vëzhgimeve, ku do të ndjekë nga afër paraqitjen e lojtarëve që militojnë në kampionatet të tjera në kontinent. "Duke filluar nga java tjetër do të vizitoj Greqinë, Austrinë dhe më pas Gjermaninë për të parë dhe për t‘u njohur më nga afër me lojtarët shqiptarë që luajnë atje", përfundoi Han.

Zv/kapiteni i kombëtares, Lorik Cana, i cili militon me Olimpik Marsejën në Francë, është i vetmi që është vëzhguar nga trajneri. Holandezi nuk ka arritur të shohë në aksion Erjon Bogdanin, pasi koha që kishte në dispozicion ka qenë shumë e shkurtër. Pasi të largohet nga Shqipëria më 21 shkurt, ndalesa e parë e Ari Han është Greqia. Më saktësisht tekniku do të shkojë në Selanik, për të vëzhguar mbrojtësin Kristi Vangjeli, që luan me Arisin. Pasi të ndjekë edhe Hamdi Salihin dhe Riedin, në javën e parë të marsit fillojnë edhe vëzhgimet në Gjermani. I pari që do të vëzhgohet është sulmuesi Edmond Kapllani dhe më pas ai do udhëtojë drejt Hanoverit, për të marrë pjesë në seancat stërvitore të Altin Lalës. Më 9 mars, turi evropian përfundon me vëzhgimin e Ervin Skelës në takimin Volfsburg-Kotbus.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›