E Diel, 1 Nëntor 2026

Reliktuari dhe kulti i Gjon Vladimirit te shqiptarët

Koleksionisti Vangjel Kapedani nga Elbasani zbuloi një kutizë argjendi, një reliktuar që i takon kultit të Gjon Vladimirit. Kutiza ka përmasat 16 × 20 cm, është e lartë 6 cm. Ka një kapak ku është ravizuar ikona e Gjon Vladimirit në këmbë, me kostum fetar, me kurorë mbretërore dhe një pelerinë të gjatë pas supeve. Shenjti mban në dorën e majtë kokën e tij të prerë kurse në dorën e djathtë mban kryqin dhe palmën e parajsës. Në këmbët e tij është shpata që i ka prerë kokën. Ikona në argjend e Gjon Vladimirit është e bukur dhe shprehëse. Rreth e qark saj ka dhe 5 mbishkrime ku flitet për Gjon Vladimirin si martir i madh dhe mbiquhet si mbret i Shqipërisë. Ky reliktuar ka mbartur ndonjë copë eshtre të shenjtë. Në fakt ekziston dhe një reliktuar më i madh që ruhet akoma. Aty janë eshtrat e shenjtit, që Karl Topia i solli përfundimisht pranë Elbasanit në manastirin ku u varros dhe vetë princi i famshëm. Ky reliktuar i takon shekullit të 18-të dhe është bërë nga argjendarët e lagjes Kala të Elbasanit. Ky reliktuar ka shumë mundësi të jetë parë ose të jetë ideuar nga vetë piktori i madh shqiptar i shekullit të 18-të, Kostandin Shpataraku. Ky është një zbulim i madh kulturologjik, si dhe artistik.

* * *

Krishterimi te shqiptarët është i vjetër i kohërave apostolike, d.m.th. përpara krijimit institucional të kishave dhe të kanuneve liturgjike. Ky krishterim pati dy vatra të mëdha në Ballkan, dy qytetet ilire, qytetin e Salonës në Dalmaci (Spliti i Sotëm) dhe qytetin e Durrësit ku ka apostoluar vetë Shën Pali dhe ku në vitin 57 pas Krishtit ka pasur një Agape (komunitet tipik i të krishterëve të parë), si dhe dy dishepuj ungjillorë të famshëm Shën Cezari dhe Shën Apoloni, pa harruar dhe martirin e madh Shën Asti. Është pikërisht forca tërheqëse e emrit të Shën Astit që ka bërë të mundur thithjen e legjendave e gojëdhënave, si dhe një kult tjetër të krishterë, shumë të rëndësishëm për shqiptarët, kultin e Gjon Vladimirit.

Ǒpërfaqëson kulti i Gjon Vladimirit? Kush është Gjon Vladimiri, përse kulti i tij para së gjithash nderohet nga shqiptarët? Literatura shkencore dhe ikonografike për Gjon Vladimirin është relativisht e gjerë. Studimi i albanologut të madh kroat, Milan Shuflai, për kultin e Gjon Vladimirit përbën një strukturë konceptuale, të pazëvendësueshme për këtë figurë. Sipas Shuflait, kulti i Gjon Vladimirit përbën një nga kultet më të mëdha të krishtera për gjithë Ballkanin. Ky kult është i çuditshëm dhe i pastudiuar deri në fund; nuk ka ende një studim përfundimtar dhe shterues. Ky kult ka lëvizur vetëm në qarkun etnik shqiptar, brenda për brenda mjedisit shqiptar, megjithatë është nderuar edhe nga sllavët e Jugut, edhe nga serbët e maqedonasit, edhe nga kroatët. Ka debate shkencore dhe fetare për Gjon Vladimirin, ka dhe falsifikime e pasaktësi të nisura nga politika shoviniste e të qëllimshme, kryesisht antishqiptare. Por është fakt që kulti i Gjon Vladimirit ka qenë një nga legjendat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Ballkanit, siç e ka quajtur Milan Shuflai.

Gjon Vladimiri ka qenë princi i krahinës së Krajës pranë Ulqinit, një tokë me popullsi iliro-shqiptare e kahershme në shekullin e XI. Gjatë një vizite që autori i këtyre rreshtave bëri në janarin e këtij viti, pa me sytë e tij gërmadhat e shtëpisë princërore të Gjon Vladimirit në Krajë, si dhe një pus të madh që mban emrin e gruas së Gjonit, princeshës Kosara. Gjon Vladimiri (i quajtur në burimet sllave si Ivan Vladimiri), iu nënshtrua Carit bullgar Samuil, kur ky pushtoi Shqipërinë Veriore. Mbasi u bë vasal i Carit Samuil, Gjoni u detyrua të martohej me vajzën e Samuilit, princeshën Kosara. Ky vasalitet u prish, sepse Gjon Vladimiri u bashkua në aleancë me perandorin bizantin Vasili II. Cari bullgar Samuil e vrau në mënyrë të pabesë princin kryengritës të Krajës, Gjonin, madje së bashku me të shoqen Kosarën. Ishte pikërisht kjo kryengritje kundër bullgarëve, martirizimi politik i Gjon Vladimirit, që bëri që shqiptarët në Krajë, në Anamal dhe në Ulqin ta quanin Gjon Vladimirin një martir në radhë të parë për lirinë e tyre, që sakrifikoi kundër pushtuesve bullgarë, pra pushtuesve sllavë. Si martir qenë pikërisht shqiptarët që pa asnjë akt zyrtar kanunizues e shpallën Gjon Vladimirin një shenjtor të madh, një shenjtor që në fakt nuk u bë i tillë nga asnjë akt i shënuar incriptus nga kishat e krishtera, qoftë të ritit lindor ortodoks serb, qoftë të ritit perëndimor katolik të Romës. Është e habitshme, por është plotësisht e vërtetë që kultizimi dhe shenjtërimi i Gjon Vladimirit u bë në mënyrë popullore dhe në një mjedis tipikisht shqiptar. Shumë dijetarë e quajnë Gjon Vladimirin me origjinë sllave, duke u nisur edhe nga fakti që në burimet sllave ai quhet Ivan Vladimiri. Por, krahina e Krajës, madje mali i quajtur Katërkolë (shihni ju lutem këtë toponim, që përbëhet nga fjalë shqipe, nga fjala "katër" dhe fjala "Kolë", që shpjegohet me emërtimin nga katër kishat e Shën Nikollës dikur në këtë mal. Pas vdekjes eshtrat e Gjonit u ruajtën në kishën "Virgjëresha e Krajës" deri në vitin 1215. Gjoni u vra në vitin 1016. Mbas 199 vjetësh, një sundimtar epirotas i quajtur Teodor Ëngjëll Komneni i mori eshtrat e shenjta të Gjon Vladimirit nga Kraja dhe i vendosi në Durrës. Që nga ajo kohë eshtrat e Gjon Vladimirit në Durrës u nderuan nga besimtarë të dy kishave, të Kishës Lindore dhe Perëndimore. Ky nderim në Durrës, i shoqëruar edhe me panaire të mëdha, nga më të mëdhatë e Mesjetës ditën e 22 majit, që është dita e shenjtit, vazhdoi për gati 1 shekull e gjysmë. Janë të shumta dokumentet që lidhen me Durrësin deri në shekullin XIV, që tregojnë sesi reliket e Gjon Vladimirit nderoheshin, madje duke i kushtuar vepra letrare fetare dhe dhurata të shumta ex-voto. Nuk e dimë deri më sot se ku ka qenë kisha që ka strehuar reliket e Gjon Vladimirit në Durrës. Por mësojmë nga disa burime, se në një nga katedralet e klerit domenikan të Durrësit nderohej së tepërmi martirizimi i Shën Astit, që u vra nga perandori romak Trajan në vitin 100 dhe vetë shenjtori Gjon Vladimiri dhe se për të dy këta shenjtorë kishte gojëdhëna të përafërta dhe tejet ekzotike, shoqëruar edhe në vargje në gjuhën latine e greke.

Karl Topia dhe manastiri i Gjon Vladimirit në Elbasan

Një nga princërit më të rëndësishëm dhe më të kulturuar shqiptar të shekullit XIV, Karl Topia, në vitin 1381 i mori eshtrat e Gjon Vladimirit dhe i vendosi në kishën që ai e ngriti dhe e ndërtoi së bashku me manastirin e Shën Gjon Vladimirit pranë Elbasanit. Karl Topia ngriti një nga manastiret më të famshëm, qendër kulturore e jashtëzakonshme për shqiptarët. Në këtë manastir kryet e vendit e kishte sarkofagu madhështor që kishte brenda pjesët e trupit të shenjtorit Gjon Vladimiri. Sipas një shënimi ka pasur edhe afreske në mur, ku tregoheshin ndodhitë dhe bëmat e shenjtit. Në fondin e dorëshkrimeve të manastirit kishte kodikë, shënime arkivore, libra psallmikë dhe me poezi në disa gjuhë për kultin e Gjon Vladimirit. Për fatin e keq kjo kishë u dogj nga gjermanët në 1944-ën. Çdo gjë u shkatërrua në një llahtari të papërshkrueshme. Humbja kulturore, siç mund të kuptohet, është e pariparueshme, sot ekzistojnë muret akoma në këmbë në absidën e kishës së manastirit, ruhen gjurmë afreskesh, që dëshmojnë për një lavdi të madhe të dikurshme. Nga ky manastir është marrë porta monumentale e gdhendur në gur së bashku me emblemën, stemën heraldike të princit Karl Topia dhe mbishkrimin tregjuhësh të Karl Topisë dhe sot ky monument shumë i rrallë e i jashtëzakonshëm ndodhet i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Nga mbishkrimi mësojmë se manastiri u ngrit në vitin 1381 në vendin e një kishe më të vjetër. Manastiri në të vërtetë u bë katër herë më i madh sesa kjo kishë e vjetër. Emblema e Karl Topisë është tipike dhe përbën një vepër arti të pazakontë në shekullin e XIV në historinë e artit tonë kombëtar. Emblema është në relief të hollë, ka në qendër si figurë kryesore luanin heraldik me kurorë mbretërore të ulur mbi një fron. Nën të është forma e një libri të hapur, pastaj ka një fushë dekorative, ku duket skalitja e 20 kryqeve, 10 prej tyre janë mbyllur me rreth, si dhe figurat e stilizuara të zambakëve si shenja mbretërore të fronit francez, konkretisht dinastisë së anzhuinëve, të cilët më 1272 krijuan edhe shtetin e madh mesjetar shqiptar të quajtur Mbretëria Shqiptare (Regnum Albaniae) me kryeqytet Durrësin. Shenjat e zambakëve janë vënë në këtë emblemë për të treguar lidhjen e Karl Topisë me një origjinë të supozuar të tij, në fakt me një lidhje krushqie me një princeshë franceze. Nga ana tjetër, politikisht Karl Topia ka luajtur me idenë e Mbretërisë së Shqipërisë së Anzhuinëve të shekullit XIII, sepse një shekull më vonë është Karl Topia që synon të quhet mbret i shqiptarëve. Sipas studiuesit Gjergj Frashëri, fusha dekorative ka disa shenja që janë dëshmi e një kalendari grafik origjinal. Sipas këtij studiuesi, me një gjuhë simbolike grafike është shënuar në emblemën prej guri data e ngritjes së monumentit. Kjo tregohet nga një vijë e vetme horizontale, e cila tregon shifrën 1000, nga tri vija vertikale (secila nga këto vija tregon shifrën 100, pra të tria së bashku tregojnë numrin 300), nga 8 vizatime zambakësh, që tregojnë së bashku shifrën 80, si dhe nga një vizë e vogël vertikale, që tregon numrin 1. Kështu, gjithsej dilet te shifra 1381, pra një nga format më origjinale dhe më të çuditshme të patakuar deri më sot të shënimit të datës të një Kalendari nga shqiptarët. Duke parë me vëmendje fushën dekorative të emblemës së Karl Topisë, mund të them se ajo nuk është studiuar plotësisht nga pikëpamja simbolike. Ka enigma grafike të pazbërthyera dhe përbën në vetvete një kod enigmatik të fshehtash dhe simbolesh. Ajo që është më e çuditshmja dhe më e rëndësishme është se ky manastir i ka shërbyer në mënyrë barazimtare edhe katolikëve, edhe ortodokseve. Dihet se Karl Topia ishte një princ katolik. Ahere pse ai ndërtoi një manastir të ritit ortodoks? Ai kishte kështu një vizion dhe politikë të sinkronizuar fetare, idenë e një kishe të përbashkët dhe të njëjtë nga pikëpamja institucionale, si për shqiptarët ortodoksë ashtu dhe për katolikët. Për t‘i bashkuar shqiptarët e dy kishave, ai përdori jo gjëra të rëndomta dhe simbole të çfarëdoshme, por thesarin më të madh që kishte Shqipëria e shekullit XIV, eshtrat e shenjtit Gjon Vladimir. Shikoni pikat gjeografike të tri qendrave të nderimit të këtij shenjti. Kraja shqiptare, Durrësi shqiptar dhe Elbasani shqiptar. Nëse nuk merret parasysh ky realitet etnik nuk mund të kuptohet fare as procesi i shenjtërimit, as prologu dhe deri diku as epilogu i historisë së eshtrave të shenjtit. Shumë apolegje të kishës serbe, si kudo në politikë dhe histori, në shkrimet e tyre e mohojnë pa asnjë logjikë mjedisin shqiptar nga fillimi deri në fund të nderimit të eshtrave të Gjon Vladimirit. Argumenti që përdorin serbët se Gjon Vladimiri është më origjinë sllave është një argument aprioristik, sepse në të vërtetë deri më sot nuk ruhet absolutisht një dëshmi e sigurt për origjinën etnike të Gjonit. Nga ana tjetër, emri Gjon është emër tipik i përdorur nga shqiptarët. Ai quhet kështu në rrethet e Ulqinit, por dhe kudo në Shqipëri. Askush këtij shenjti nuk i thërret me emrin Ivan, sipas sllavëve apo Johan sipas grekëve. Nga ana tjetër, janë shqiptarët ata që kanë krijuar disa vepra arti të shkëlqyera, madje kanë botuar edhe libra të veçantë kushtuar Gjon Vladimirit të mbiemëruar më pas edhe si elbasanasit (në të vërtetë ulqinakas, ose më saktë nga Kraja).

Shekulli XVII dhe librat për Gjon Vladimirin

Janë dy botime të quajtura "Akuilithe" kushtuar jetës së Gjon Vladimirit, të botuara në Venedik, nga tregtarët nga Elbasani. Këta libra kanë jetëshkrimin dhe gojëdhënat lokale shqiptare për Gjon Vladimirin. Për këto dy libra ka bërë shënime bibliografike prof. Dhimitër Shuteriqi. Më përpara, që në shekullin XIX, për njërin nga këto libra ka folur gjerësisht albanologu austriak Georg Hahn. Ai jep të shtjelluar madje dy legjenda për Gjon Vladimirin si njeri i shenjtë. Sipas këtyre legjendave, Gjon Vladimiri u martua me Kosarën, vajzën e Samuilit, por kjo martesë "nuk u konsumua", mbasi shenjti vendosi të rrinte i virgjër. Kjo ngjalli zemërimin e Kosarës, vëllai i saj e goditi me shpatë Gjonin, por shpata përkulej si dyllë sapo prekte trupin e shenjtit. Ahere Gjoni, duke menduar nderimin e martirizimit të tij të ardhshëm, i dha vrasësit shpatën e vet dhe kështu vrasësi i preu kokën Gjonit. Gjoni përfundoi në kishën "Virgjëresha e Krajës", kurse vrasësi, sipas dënimit hyjnor, hëngri mishin e trupit të vet etj. Dy librat e shqiptarëve për Gjon Vladimirin kanë rëndësi të posaçme për të kuptuar atmosferën dhe procesin e mendimeve nga shekulli XIV deri në shekullin e XX. Ndoshta ka ardhur dita që këta libra, në fakt të botuara në greqisht dhe me shpenzime të mëdha në Venedik, të përkthehen edhe në shqipen e sotme letrare. Ndoshta edhe shumë poezi e himne fetare që kanë bërë shqiptarët për Gjon Vladimirin të përmblidheshin në një antologji. Në të vërtetë akoma dhe sot shqiptarët ruajnë diçka materiale e konkrete, ruajnë kryqin e Krajës. Është një kryq prej druri, i cili sot është pronë e një familjeje shqiptare në një fshat midis Tivarit dhe Ulqinit. Sipas gojëdhënës, këtë kryq e hodhi nga qielli një skifter i bardhë, për Gjon Vladimirin. Kjo qe një shenjë hyjnore për të ngritur kishën "Virgjëresha e Krajës". Më vonë, përballë kësaj kishe ka qenë dhe një kryq akoma më i madh prej druri. Populli e merrte këtë kryq në 22 maj në mëngjes dhe me të shtegtonte mbi Malin e Rumisë në afërsi të Shkodrës. Shqiptarët, pavarësisht nga besimi, të gjithëtok ortodoksë dhe myslimanë, në ditën e Rushajave (Pentecostes) bënin procesionin e kryqit në Malin e Rumisë. Për fat të mirë kryqi i vogël i kishës ruhet, pra siç thamë përsëri në një familje shqiptare.

Ikona e Kostandin Shpatarakut

Në shekullin XVIII ikonografi gjenial shqiptar, Kostandin Shpataraku, bëri një kryevepër, ikonën e madhe të Gjon Vladimirit të përfunduar më 1731. Kjo ikonë ka në qendër princin e Krajës, Gjon Vladimirin, i cili mban në dorën e majtë kokën e tij të prerë, si dhe 12 skena rreth e qark figurës qendrore. Në njërën nga skenat është figura në këmbë e princit shqiptar Karl Topia, i cili tregon me dorën e djathtë konstruktin arkitektonik të manastirit të Gjon Vladimirit në formën e tij fillestare. Ky portret i Karl Topisë është i vetmi portret historik që kemi nga shekulli XIV. Kostandin Shpataraku e ka bërë portretin e Karl Topisë duke u bazuar te një ikonë e vjetër e Karl Topisë që ka qenë në manastir. Skenat e tjera tregojnë historitë e shenjtit. Kështu tregon shenjtin me kalorës në gjueti, skenën kur shenjti pa për herë të parë skifterin e bardhë që i hodhi kryqin, shenjtin në luftë me sa duket me bullgarët. Ajo që të habit është se një nga kalorësit mban një flamur të kuq, që të kujton shumë flamurin e shqiptarëve, skena të habitshme janë ato që tregojnë 16 francezë, që siç thuhet nga gojëdhëna e Elbasanit, donin të vidhnin eshtrat e Gjon Vladimirit, por mushka që ia ngarkuan këto eshtra ngordhi në vend etj. Për fat të mirë ikona e Kostandin Shpatarakut ruhet akoma edhe sot.

Kulti i Gjon Vladimirit në historinë kishtare

Milan Shuflai pyet: Kush ia tregoi kishës së Romës rëndësinë e kultit të Gjon Vladimirit, kjo nuk dihet, por sido që të jetë duhet të ketë qenë një njohës i veçantë i gjendjes në Krajë. Shuflai na tregon sekretin e gjithë enigmës. Shuflai thotë se ka qenë një kishtar shqiptar i quajtur Pal Dushmani, metropolit i Krajës, i cili ka ndikuar edhe te kardinali domenikan nga Raguza i quajtur Gjon Stajkoviç. Pal Dusmani, më 1440, ka qenë famullitar në qytetin Trevizë në Italinë e Veriut, në 1443 ka qenë peshkop në qytetin e Shasit pranë Ulqinit, në 1446 peshkop në Drisht. Ky kishtar shqiptar ka luajtur role të mëdha pranë Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky njeri ka ndikuar më së shumti për shenjtërimin e kultit të Gjon Vladimirit. Kjo histori e Gjon Vladimirit te shqiptarët tregon njëkohësisht dhe tolerancën fetare të shqiptarëve dhe përbën një nga legjendat më të mëdha, madje kryesoren për nga rëndësia, siç e quan Shuflai të një shenjti në krejt historinë e Ballkanit. Vetëkuptohet që historia e Gjon Vladimirit nuk mund të kalojë në indiferencë dhe të mos bëhet element përbërës kulturor edhe në kohërat e sotme të fillimit të mijëvjeçarit të tretë.

THEODHOR HAXHIFILIPI (DHASKAL TODHRI) SHEKULLI XVIII
HIMN
PËR

SHËN GJON VLADIMIRIN

Të gjithë brezat të lumturojnë Ty, o Vladimir i lumtur,

vraponi me himne të rrethojmë varrin e të hyjnueshmit Gjon.

Me dëshirë le të nderojmë dëshmorin e Zotit, në tempullin e tij.

Le të vrapojmë me frikë tek eshtrat e hyjnueshme të dëshmorit të Zotit.

Prej mirash të pashtershme të arkivolit të Gjonit tani dhurohen shërime.

Në kupë të qiellit, ti gjete qetësi bashkë me të lumturit.

Gjon i lumtur, zulmë e Arbërisë dhe lëvdim i Ilirisë.

Nga dhuratat e mëdha, nga dhuratat e hijshme, dhuratë ti na jep.

Të gjithë erdhën me vrap, o Miroblit, festën tënde të festojmë.

Bashkë me të gjithë shenjtorët dhe ne, mendjet e frymorëve

tani të lëvdojmë, o i Lumtur.

Gjiri yt i paurtë të preu kryet, o Anaks i nderuar.

Atyre që me dëshirë e frikë nderojnë eshtrat e tua, jepu atë që u takon.

Kokëprerë, mbi një mushkë, u dëgjua se po vije si një nga miroblitë Armatosna me durim kundër pasardhësve të Agarit, që përherë na tiranizojnë.

Çdo frymë dhe natyrë gëzohen bashkë për kujtim të Gjonit.

Dëshmori i hirshëm Miroblit, mbroji ata që të këndojnë himne.

Ne që të mblidhemi rreth varrit, shpëtona të gjithëve nga çdo ngasje.

Fisete Shqipërisë, bashkë me fiset e Bullgarisë, po të këndojnë himne

O i lumtur.

Më të drejtët mbretërues, o mbret jepna fitoren ndaj kundërshtarit.

Jepna paqe, në shërbëtorëve, bashkim dhe unjësi "Ti na dhuro".

Ndërmjetëso për të gjithë ata që ndodhen pranë teje, që të kenë lavdinë e lartë.

Të lëvdojmë me lavdi ne që të lëvduam dhe që bashkëlëvdohemi me Ty.

Lavdi

Selisë së Trimnisë që ti i drejton lutje për ata

Që të nderojnë Tani.

Bija hyjlindëse, e ëma e Manoilit, Ty, o Vladimir të kundrojmë.

Përkthim nga greqishtja
THEODHOR HAXHIFILIPI (DHASKAL TODHRI) SHEKULLI XVIII
JETA NË VARR
Himnografë, që të gjithë, mblidhuni bashkë me mua tani,

që t‘i këndojmë himne Gjonit, të ndritshmit Izapostull.

Kujto ata besëtarë që në Faltoren Tënde erdhën të gjallë

dhe të vdekur dhe lutju të Lartit për faljen e fajeve të tyre.

Dhëndërinë e përkohshme e pate të vështirë dhe Ti qiellin fitove

dhe me kënaqësi të kurdohershme u kujtove, o i Lumtur.

Besnikë të pashëruar, ejani tani të gjeni shërimin e

pësimeve nga mjeku pa rrogë.

Ty, o Shenjt, që të plagosën gjirinjtë himnet dhe vallja engjëllore

E njerëzore të japin himnet e marshit.

Kryqin që e pe bashkë me parësinë, na e fale duke

shkatërruar fuqinë e Djallit që vepronte kundër nesh.

Si Moisiu, që njëherë kaloi detin, kështu kaloi edhe lipsari

i arkivolit tuaj, duke notuar kundër Faraonit të Ri.

Si kryqi i Konstandinit, që u duk në qiell, kështu në

vend qëndronte trupi yt si thesar mirëprurës.

O Krishti ynë, jepna zgjidhje për fajet që bëmë, të lutemi

në ndërmjetësinë e Gjonit dijetar.

I shkëlqyer, ti shihesh në tokat e Arbërisë, duke

mësuar mësuesi emrin e tërëshenjtës Trinisë së nderuar.

Fjalët e Profetëve, engjëjt në udhë po të lëvdonin Ty,

o kokëprerë ndenjë kaluar deri sa mbërrite në vendin e dëshëruar.

O mbret i shkëlqyer, forcojua armët e ushtrive perandorëve

të drejtë, duke u dhënë fitore kundër armiqve.

Tani po biem në gjunjë, duke lotuar prej tiranisë së hidhur

të shpirtit e të trupit, vrapo të na shpëtosh.

Me fuqinë e shpirtit munde ushtrinë Poforigjenete, duke e

armatosur me armë kundër saj.

Për ata që gjithnjë po marrin shërim prej teje, në vend të

tyre po të drejtoj falënderime.

Atyre, që po ta ruajnë kujtimin me besë e adhurim

dhe po kërkojnë shërime,

dhurojua si dhuratadhënës që je.

Kurorën e nderur e le mbi dhe, dhe kurorën e

paprishur jepua tani besnikëve si shërim.

Vesoje flakën e mëkateve tona dhe me pamjen e urtë

o Vladimir, mos pusho duke ju lutur Zotit.

Nga jeta në jetë, nga toka në qiell dhe nga mbretëria

e ndritur në jetën e pandritur e të përjetshme ti zure vend.

Kur të panë hipur në kalë dhe dora jote mbante Kryqin,

popujt u çuditën nga kjo thagmë e frikshme.

Të gjithë ortodoksët kudo që janë dhe të thërrasin në emër

liroi nga sëmundjet, duke u dhënë ndihmën e duhur.

Të lartësuar po të vështrojmë dhe trupi yt i vdekur ngjan

si i gjallë, o Ti, që me fuqi shkatërrove grackat e

demonit dhe gjarprit.

Urtësinë e Josifit dhe virgjërinë e Gjon Ungjilltarit

dëshirove për këtë dyfish u kurorëzove.

O Jeromanahit i hirshëm, ruaj të gjithë ata që ngrenë

trupin Tënd, duke i ndihmuar kurdoherë.

Shqipen në formë engjëlli pe, duke mbajtur kryqin prej një

njohe jetën e lartë.

O Miroglit, armatosma prej lipanit dërgona fuqi kundër

të ligut.

Lavdi.

Mendje, fjalë e frymë o dritë e tërëqenësishme, zgjidhje

e Vladimirit, dërgona përdëllimet e shumta ne të gjithëve.

Tani e paskëtaj.

O Ti, Ajo që lindi Hyun me natyrë mishnore, mos

lër pa ndërmjetësuar pranë Birit Tënd dhe Zotit tonë për ne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›