Sherif Merdani kërkon "rininë" e humbur në Librazhd
Këngëtari i njohur, Sherif Merdani, rikthehet me repertorin e këngës së tij aty ku u prangos për këngët e ndaluara të kohës. Më tepër se nostalgji e atyre viteve të rinisë së brishtë të këngëtarit, rikthimi i tij në një koncert recital në Librazhd mbetet sa respekt për spektatorin e këtij qyteti, aq edhe vitalitet interpretues i këtij këngëtari të madh. Nata e mbrëmshme ka lënë jashtë sallës së vogël të kinoklubit të qytetit qindra artdashës me bileta në duar për të parë e dëgjuar repertorin e këngëtarit rebel të viteve ‘70. Merdani në këtë qytet të vogël nisi kompozimin e këngëve të mëdha, tekstet dhe vija melodike e të cilave konsideroheshin heretike për regjimin komunist të asaj kohe. Pikërisht në Librazhd, Sherif Merdanin nuk e lanë të përfundonte këngën e fundit, duke nisur kështu kalvarin e gjatë. Mbrëmë, këngëtari i preferuar për të gjitha moshat ka dhënë koncertin e tij recital në qytetin e Librazhdit, ku e ftuar ka qenë edhe këngëtarja Vikena Kamenica. Ashtu si 40 vjet më parë, Merdani ka kënduar sa në shqip dhe në gjuhë të huaj, ku për këtë të fundit do t‘i privohej liria në kohën kur shkëlqente në skenën e vogël amatore të këtij qyteti. Kanë qenë të shumta duartrokitjet dhe buqetat e lule për këngëtarin, sikurse dhe të shumta kujtimet e rrëfyera mes shokëve e miqve në këtë qytet për ato vite të ndaluara për muzikë. Jo më kot koncerti recital i tij përshkohej nga lajtmotivi "Ku mbete ti rini", por preludi mbyllës ka përfunduar mes duartrokitjeve dhe lotëve me këngën e nënës.