Koreja e Veriut: Energji në këmbim të bërthamores
Koreja e Veriut ka kërkuar energji dhe heqje nga lista amerikane, e cila e cilëson vendin aziatik si një shtet terrorist në këmbim të deklaratës së plotë e përfundimtare për heqje dorë nga ambicia e saj bërthamore. Kjo ishte kërkesa e Pjon Jangut, sipas disa kërkuesve amerikanë që shkuan në vendin komunist. Sipas tyre, zyrtarët koreanoveriorë kishin nisur që tërhiqnin dorë nga programi pas ndihmave të para që mbërritën nga Shtetet e Bashkuara në 3 tetorin e kaluar. Marrëveshja e tetorit të kaluar, e cila u cilësua një sukses i madh nga diplomacia ndërkombëtare, parashikon heqjen dorë nga ana e Koresë së Veriut nga ambicia bërthamore në këmbim të ardhjes së ndihmave amerikane, të cilat konsistojnë në energji elektrike dhe koncesione politike, përfshi edhe heqjen e emrit të Koresë së Veriut nga lista e vendeve terroriste, në të cilën bëri pjesë në vitin 2007. Por edhe pse disa ndihma nisën të vinin, marrëveshja nuk është plotësuar tërësisht nga ana e amerikanëve dhe sipas koreanoveriorëve, respektimi i saj i plotë do të çonte në heqje dorë nga zhvillimi i mëtejshëm i reaktorëve bërthamorë. Koreja e Veriut e shpalli veten fuqi bërthamore në vitin 2007, duke shkaktuar kështu shqetësimin e madh të Koresë së Jugut dhe gjithë vendeve aziatike. Bisedimet e famshme gjashtëpalëshe mes vendit komunist dhe 5 faktorëve të tjerë ndërkombëtarë më në fund dhanë frytet e tyre pas vitesh të tëra diskutimesh. Marrëveshja e arritur vitin e kaluar, sipas së cilës vendi komunist pranonte të hiqte dorë nga ambicia bërthamore në këmbim të disa avantazheve ishte ndër më të rëndësishme e arritura nga komuniteti ndërkombëtar vitet e fundit dhe një shembull i mirë se një konflikt, sado i ashpër qoftë, mund të zgjidhet me durim dhe përmes paqes.