Shehi "digë" në Elbasan, Partizani ruan vendin e dytë
Partizani merr një barazim me shumë vlera në fushën e Elbasanit dhe ruan vendin e dytë në klasifikim, si ndjekësja më e afërt e Dinamos kryesuese. Kryeqytetasit i falen paraqitjes së jashtëzakonshme të portierit Orges Shehi, i cili ka qenë i pakalueshëm, duke neutralizuar tentativat e vendasve. Për të nxehur dorezat e "gardianit" të kuq ka menduar Julian Ahmataj vetëm pas tri minutave lojë, me një goditje dënimi nga 20 metra të ekzekutuar mjaft bukur. Vendasit vazhdojnë të kërkojnë golin e avantazhit, por devijimi me kokë i Fjodor Xhafës nuk ka qenë i kalibruar si duhet. Elbasanit kanë fjalën e parë në lojë, ndërsa Partizani është më shumë i përqendruar në mbrojtje. Kur kronometri shënonte 20 minuta, ka qenë përsëri Ahmataj që ka provuar, megjithatë Shehi është treguar i vëmendshëm, duke larguar me grushte. Në mesin e pjesës së parë, në shkallët e stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" kanë shpërthyer tensioni dhe sharjet, ku në shënjestër ka qenë mesfushori i Partizanit, Elis Bakaj, i cili ka reaguar ndaj ngacmimeve të publikut. Këto 45 minuta mbyllen me vendasit në sulm, ku Endri Dalipi, Ardian Nuhiu e Sakaj kanë pasur raste mjaft të mira për shënim, por goditjet e tyre nuk ishin në lartësinë e duhur. Ndërkohë, miqtë kanë humbur shërbimet e Tafajt të dëmtuar, i cili është zëvendësuar nga Karapici.
Fraksioni i dytë i lojës fillon i qetë, me vertikalizimet e elbasanasve, në pritje të shansit për të shënuar. Mundësia vjen në të 57-tën, kur Endri Dalipi bën gjithçka mirë, por në momentin e fundit, kur ndodhej i vetëm me Shehin nuk arrin ta kalojë topin në rrjetë. Momenti i parë i rrezikshëm për Partizanin është regjistruar vetëm pas 77 minutave lojë: portieri Toçi nuk kontrollon si duhet një top pranë zonës, aty Gjyla tregohet më i shpejtë dhe provon nga pozicion i prirët, duke rrezikuar të shënojë në portën e skuadrës së Krenar Alimehmetit. Me këtë veprim të gabuar, Toçi ka konfirmuar shqetësimin e drejtuesve të Elbasanit, që pas largimit të Ilion Likës kanë kërkuar një portier me përvojë, që di të përballojë sfidat e mëdha. Pak çaste pas Gjylës për miqtë ka provuar edhe Muzaka, por topi i gjuajtur prej tij përfundon pak centimetra mbi portë. Në minutat e fundit skuadra e Alimehmetit është dukur e lodhur dhe kjo i ka dhënë mundësi Bakajt që të ndërmerrte një kundërsulm të shpejtë: lojtari i Shpresave i shpëton mbulimit të Karçev, megjithatë nuk arrin të kalibrojë si duhet të djathtën dhe topi përfundon jashtë. Edhe pse të sfilitur fizikisht, vendasit kanë vazhduar sulmet në kërkim të golit të fitores, por Bejzade e Arben Nuhiu nuk arrijnë të kalojnë portierin Shehi. Me këtë barazim, Partizani qëndron ndjekësja më e afërt e Dinamos, ndërkohë që Elbasani humbet shansin të ngjitej në vendin e dytë.