Derbi në paqe, të gjithë të lumtur
Barazim pa gola në derbin kryeqytetas mes Dinamos dhe Tiranës, që ka konfirmuar jo vetëm vendin e parë të bluve në renditje, por edhe rritjen e ndjeshme të skuadrës së Memës. Tifozeria i është përgjigjur pozitivisht kësaj sfide të rëndësishme, duke mbushur shkallët e "Selman Stërmasit", por ka munguar goli që do të përcaktonte edhe fituesin e kësaj ndeshjeje. Gjithsesi, të dyja skuadrat kanë lënë të kënaqura stadiumin pasi kanë ruajtur pozitat e tyre në klasifikim dhe mund të përgatitin më qetësisht sfidat e radhës në luftën për titullin kampion.
Ndeshja ka filluar me disa nisma të Dinamos ku Pejiç dhe Pollozhani kanë vënë në vështirësi disa herë prapavijën e bardhebluve, por pa arritur të gjejnë kuadratin e portës së mbrojtur nga Nallbani. Nga ana tjetër, Fortuzi, Xhafaj dhe Duro bëjnë të pamundurën për të shfrytëzuar çdo hapësirë në mbrojtjen e Dinamos për të provuar diagonalet e rrezikshme, por pa sukses. Nëse kjo sfidë ishte një përballje mes emrave të mëdhenj, diferencën në lojën e Tiranës për këtë takim e bën padyshim Hyka, i cili me driblimet e tij vë në vështirësi krahun e djathtë të mbrojtjes së bluve, duke harkuar disa herë në zonë për sulmuesit bardheblu. Por falë përvojës së Kotorrit dhe të Poçit të kthyer në ndihmë të prapavijës, situatat e pjesës së parë mbyllen pa shqetësime për katërkëndorin e Dinamos.
Në pjesën e dytë është një ritëm krejtësisht tjetër, kjo falë edhe Tiranës që provon me ngulm të gjejë golin e avantazhit. Është përsëri Hyka që krijon pështjellim në mbrojtjen e Dinamos me një depërtim në krah, por gjuajtja e tij ndalohet me vështirësi nga prapavija e bluve. Në minutën e 52-të, Fortuzi jep një pasim të artë për Xhafajn në qendër, por ky i fundit gabon kohën dhe humbet një rast të pastër për të shënuar golin e avantazhit. Mema nuk toleron gabime dhe e tregon këtë duke larguar nga fusha sulmuesin vlonjat, duke aktivizuar të riun Arapi, ndërsa Tirana bëhet edhe më shumë kërkuese. Mesfushori Mohelebi vë në vështirësi Kotorrin me një goditje dënimi nga distanca, por Duro nuk arrin të kthejë në kuadrat grushtimin e portierit të Dinamos. Mesfushori elbasanas ka dy herë radhazi mundësinë të provojë të djathtën e tij në goditje dënimi, por në të dyja rastet topi përfundon në pjesën e jashtme të shtyllës. Canaj e kupton që duhet më shumë mbulim në mesfushë ndaj largon argjentinasin Hanush, për të aktivizuar mbrojtësin Diop. Por furia e Tiranës nuk ndalet dhe brenda pak minutash janë Duro e Hyka që vënë përsëri në provë reflekset e Kotorrit, i cili shpëton portën e tij nga gola të sigurtë. Edhe Çapja i aktivizuar në vend të Fortuzit në minutat e fundit provon të gjejë portën me një gjuajtje nga jashtë zonës, por gardiani i Dinamos tregon aftësitë e tij, duke shpëtuar përsëri katërkëndorin. Vërshëllima përfundimtare e Jankut dekreton barazimin që ruan të paprekura pozitat e dy skuadrave në renditje. Por Tirana do të shkojë drejt sfidave të ardhshme me entuziazmin e dominimit të sfidës kundër kryesuesve të kampionatit.