Masakër në Pakistan, kamikazi vret 37 persona
Sa vjen e bëhet më e tensionuar situata në Pakistan, që ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Dje, një kamikaz, pasi ka hedhur veten në erë, ka shkaktuar një shpërthim që i ka marrë jetën 37 personave gjatë një takimi zgjedhor të simpatizantëve të partisë së ish-kryeministres së Pakistanit, Benazir Buto. Sulmi është i fundit i këtyre përmasave gjatë gjithë periudhës tremujore që kur ish-kryeministrja u kthye në vendin e saj pas një mërgimi të gjatë dhe shfaqi ambiciet e saj politike për të marrë sërish pushtetin. Gjatë sulmit të fundit u plagosën edhe 90 persona. Shpërthimi ka ndodhur në Paraçinar, një qytet trial në zonën veriperëndimore të Pakistanit. Frika për përshkallëzim të dhunës dhe për manipulim të votave gjatë zgjedhjeve të afërme ka qenë kryefjala e fushatës së stërzgjatur elektorale. Fillimisht zgjedhjet ishin caktuar për në fillim të janarit, por vrasja e ish-kryeministres Benazir Buto i shtyu ato. Presidenti i vendit, Musharaf, deklaroi në atë kohë që për shkak të trazirave të shkaktuara në vend dhe frikës për ndonjë agravim të situatës, zgjedhjet duheshin shtyrë për në muajin shkurt. Sa më e afërt bëhet data e mbajtjes së tyre, aq më e përgjakshme bëhet situata në vend. Vetë ish-kryeministrja u vra gjatë një mitingu zgjedhor në 27 dhjetorin e kaluar. Të shtunën, Presidenti i vendit Musharaf, i cili është bërë disa herë subjekt i atentateve, tha se ishte i bindur që, pavarësisht situatës, zgjedhjet do të ishin të lira. Shpërthimi tragjik ndodhi në momentin që njerëzit ishin mbledhur në miting, jashtë zyrës së partisë së ish-kryeministres Buto. Sipas dëshmitarëve okularë, kamikazi ndodhej në një makinë e cila u fut mes turmës dhe në momentin që ndodhej brenda saj shpërtheu duke i hedhur trupat nëpër rrugë e trotuare. Pjesa më e madhe e viktimave ishin anëtarë të partisë, simpatizantë të saj të grumbulluar për mitingun e fundit para hedhjes së votës. Pas ngjarjes së rëndë, kreu i partisë, ish-bashkëshorti i Butos, bëri thirrje për qetësi dhe për vendosjen e drejtësisë në vend, që sipas tij do të ndodhë vetëm me ardhjen e partisë së Butos në pushtet. Edhe parashikimet janë për një fitore të kësaj partie. Pasuesi i Benazir Butos, Asif Ali Zardatri, tha se shpresonte që rasti i fundit do t‘i bindte të gjithë se cilët ishin shkaktarët e vërtetë të kasaphanës në vend dhe se për cilën forcë politike duhet të votonin në rast se do të donin që në vend të kishte paqe dhe drejtësi. Musharaf, edhe pse konsiderohet sipas sondazheve i humbur, në një intervistë televizive deklaroi se ishte i bindur që do të dilte mirë në votime.