E Diel, 1 Nëntor 2026

Ari Han studion kundërshtarë gjermanë për zborin në Antalia

Në pritje të gjetjes së një kundërshtari për miqësoren zyrtare të muajit mars, trajneri Ari Han dhe të besuarit e tij po mendojnë për miqësoret në Antalia. Holandezi synon zhvillimin e të paktën tri miqësoreve me kontingjentin e futbollistëve që shihen si kandidatë për një fanellë kuqezi. Një alternativë përbëhet nga Tirana, e cila është e akomoduar në të njëjtin hotel me "zboristët", por Han ka nisur negociatat edhe me disa klube gjermane që po zhvillojnë fazën përgatitore në të njëjtin vend. "Trajneri Han dhe ndihmësit e tij janë duke zhvilluar biseda me drejtues të Energie Kotbus, Bajer Leverkusen, Karlsruher, Duisburg, Alemania Ahen dhe zviceranët e Lucernës", ka bërë të ditur përfaqësuesi i zyrës së shtypit në FSHF, Lysien Nurishmi. "Brenda 48 orëve pritet që të mësohen edhe kundërshtarët me të cilët kombëtarja do të luajë në këto miqësore. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që si kundërshtar të jetë edhe ndonjë skuadër tjetër, pasi në Antalia ka shumë klube evropiane që kanë zgjedhur pikën turistike turke për t‘u përgatitur për pjesën e dytë të sezonit". Ndërkohë, dje në orën 14:00 me orën lokale (15:00 me orën shqiptare), "zboristët" kanë zhvilluar stërvitjen e parë në ambientet e hotel "Limra". Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë 25 të grumbulluarit (nga lista me 27 emra mungonin vetëm Sinani e Pisha që nuk u paraqitën për dëmtime). Kjo ishte stërvitja e parë e drejtuar nga Han dhe stafi i tij, ndërkohë që grumbullimi është parashikuar të përfundojë më 23 janar. Sipas burimeve zyrtare të FSHF-së, në orët e vona të mbrëmjes të së hënës, pas mbërritjes në Antalia, drejtuesi i stolit kuqezi ka kërkuar dhe zhvilluar një takim me të gjithë futbollistët. Aty ai është prezantuar me skuadrën dhe më pas ka paraqitur detaje të planit stërvitor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›