E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë-Shqipëri, miqësore për "vëzhgim"

Kombëtarja shqiptare dhe ajo kosovare e futbollit të sallës do të zhvillojnë sot në Prishtinë një miqësore mes tyre. Ndeshja e planifikuar prej kohësh mes dy federatave do të ketë shumë qëllime, ku përveç bashkëpunimit mes palëve, do të synohet edhe përgatitja e kombëtares shqiptare për pjesëmarrjen në eliminatoret e Botërorit, që fillojnë në fundin e muajit shkurt. Por trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Martini, ka shprehur një interes të veçantë për disa futbollistë kosovarë, të cilët mund t‘i bashkohen përfaqësueses kuqezi në këto eliminatore, ashtu siç ka ndodhur me kombëtaren e futbollit, ku kontributi i lojtarëve kosovarë është i padiskutueshëm. Tre emrat e "piketuar" janë portieri Skënder Ademi dhe dy lojtarët më të mirë të këtij sporti në Kosovë, Muhamet Dragusha dhe Suad Keçi. Ndërkohë, do të vëzhgohen me interes edhe emrat e tjerë të përzgjedhur në formacionin kosovar nga trajneri Synaj Keçi, i cili ka afruar shumë emra të spikatur, të cilët mund të ndihmojnë përfaqësuesen shqiptare drejt kalimit në turin tjetër. Skuadra e Martinit ka përballë kundërshtarë mjaft të vështirë në turin para eliminator ku përveç Maltës, përballë do të jenë edhe Greqia e Sllovenia. Këto të fundit kanë shkëlqyer në nivel klubesh në arenën ndërkombëtare dhe cilësohen si kombëtare të një niveli të lartë. Pas përfundimit të miqësores me Kosovën, trajneri Martini ka vendosur që të grumbullojë për disa ditë të gjithë lojtarët e kombëtares së futbollit në sallë, për të përgatitur sa më mirë këtë aktivitet të rëndësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›