Sabri Hashani tërhiqet nga drejtimi i FFK-së
Në vend të dorëheqjes, Sabri Hashani është tërhequr nga posti i drejtuesit të futbollit kosovar, tërheqje që sipas tij, vlen për një kohë të pacaktuar. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka miratuar vendimin e tij, ndërsa të mërkurën do të caktojë edhe datën e mbajtjes së asamblesë zgjedhore. Në momentin kur i kishin mbetur vetëm dy alternativa: dorëheqja ose emërimi i nënkryetarit Agim Ademi konform statutit dhe vullnetit të klubeve, duke marrë përkohësisht detyrën e kryetarit, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të së martës, Hashani gjeti alternativën e tretë. Ai paraqiti tërheqjen nga posti i kreut të FFK-së, e cila sipas tij është e vlefshme për një periudhë të pacaktuar kohore. "Pas një pune tejet të ndershme gati dyvjeçare, kemi ardhur në një situatë jo të lakmueshme, në të cilën na kanë sjellë grupet e ndryshme ‘nëntokësore‘, aktivitetet dhe idetë e të cilëve për fat të keq janë përkrahur në forma të ndryshme edhe nga pjesëtarë të caktuar të këtij Komiteti", tha Hashani në deklaratën drejtuar Ekzekutivit. Sipas tij, është për t‘u habitur se si mund ta kërkojnë largimin e tij personat të cilët me veprimet e veta në mënyrë të pareshtur kanë shkelur dispozitat e FFK-së dhe të gjitha këto shkelje janë bërë në periudhën kohore, kur në Kosovë kishte "vakum institucional". Tërheqja e Hashanit nga posti i kryetarit është miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së. "Hashani është tërhequr nga posti i kryetarit me dinjitet, me qëllimin e vetëm që klubet të mos përçaheshin. KE e ka aprovuar këtë njëzëri", ka thënë nënkryetari i FFK-së Agim Ademi, pas mbledhjes që zgjati rreth një orë. KE-në do ta udhëheqë futbollin kosovar deri në Asamblenë Zgjedhore, datë që pritet të përcaktohet në të ditët në vazhdim. "Nesër do të takohem me KE dhe do të marrim vendim për organizimin e Asamblesë Zgjedhore", tha Ademi. Këtë e kanë kërkuar edhe zyrtarët e klubeve të Superligës në takimin e tyre të së premtes së kaluar. Sipas tyre, Ademi duhet ta caktojë Asamblenë brenda datës 9 shkurt të këtij viti. Sabri Hashani ka qenë kryetar i FFK-së gjatë shtatë viteve të pasluftës, por gjatë gjithë qëndrimit ai nuk arriti të gjejë ndonjë formulë për shpëtimin e futbollit kosovar.