Mjekët në gatishmëri, prindërit në panik
Menjëherë pas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, të gjithë mjekët e Fierit janë vënë në gjendje gatishmërie për të përballuar rastet e mundshme të sëmundjes së meningjitit. Shefja e epidemiologjisë në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier, Anila Moçi, ka deklaruar se është shpallur gjendja e alarmit, për të qenë në gatishmëri në çdo kohë dhe për të bërë evidentim në kohë rekord të ndonjë rasti të mundshëm të meningjitit. "Deri tani nuk ka rezultuar asnjë rast i tillë në Qarkun e Fierit. Ne kemi marrë masat që për këtë sëmundje të bëhet evidentimi në kohë rekord, brenda 24 orëve. Çdo rast i të sëmurëve që kanë shenja të përafërta me meningjitit do të merret në konsideratë dhe do të ekzaminohet deri në detaj, për të parandaluar përhapjen e virusit", ka thënë Moçi. Ndërkohë, frika e përhapjes së virusit të rrezikshëm ka alarmuar prindërit e fëmijëve, të cilët kryejnë vizita në spitalin pediatrik të Fierit. Edhe vetë mjekët e spitalit pediatrik thonë se fëmijët duhet të qëndrojnë larg spitalit, pasi aty rreziku për marrjen e sëmundjeve është më i madh. "Jemi në një periudhë tepër kritike, prandaj u bëj thirrje të gjithë prindërve, që fëmijët e tyre të mos i sjellin këtu, por t‘i drejtojnë te mjeku i familjes apo i lagjes", thotë mjeku Dhimitër Dhamo.