E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen pas një viti tre grabitës

Tre persona nga qyteti i Tepelenës, të cilët kishin grabitur një vit më parë autoveturën e një shtetasi nga i njëjti qytet, janë arrestuar dje nga agjentët e policisë së Sektorit të Krimeve të Rënda, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Burime të policisë pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut bënë të ditur se pas kërkesës sërish të prokurorëve që ndjekin dhe hetojnë çështjen që lidhet me grabitjen e një automjeti, është bërë ekzekutimi i urdhrit të Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për ndalimin e shtetasve: Bledar Refit Rama, i datëlindjes 1991, Erald Arshi Kalo, i datëlindjes 1990, Esen Beqa, i datëlindjes 1989, të tre lindur dhe banues në qytetin e Tepelenës. Ndalimi i tyre është bërë për arsye se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 25 gusht 2007, kanë vjedhur me thyerje automjetin e shtetasit Felek Çela, në qytetin e Tepelenës. Gjatë këtyre muajve, prokurorët kanë bërë verifikimin e provave dhe gjurmëve në vendngjarje dhe pas tyre kanë rikërkuar vlerësimin e urdhrit për ndalimin dhe arrestimin e tyre, pasi akuzohen si autorët e grabitjes së autoveturës dhe se kanë konsumuar elementët e plotë të veprës penale të vjedhjes në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal. Burime të policisë nënvizuan se Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër gjatë këtyre muajve të parë të këtij viti ka ndërmarrë një varg operacionesh për zbulimin e autorëve të ngjarjeve të vjetra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›