E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajan Gigs synon lavdinë e Mançester Junajted në Evropë

Rajan Gigs beson se Mançester Junajted është sërish gati për të triumfuar në Ligën e Kampioneve. "Red Devils" nuk kanë arritur në finalen e këtij trofeu që prej vitit 1999, kur kanë mposhtur Bajernin e Mynihut në një ndeshje rokamboleske. Megjithatë, "miksi" i lojtarëve me përvojë dhe të rinjve të talentuar ka bërë që Aleks Ferguson të ketë në dispozicion një skuadër shumë të fortë, që është dukur në formë të jashtëzakonshme në fazën e grupeve. Ndërmjet Mançesterit dhe një vendi në çerekfinale tashmë qëndron Lioni, por Gigs është optimist për takimin e parë që do të luhet sot në Francë. "Do të jetë një ndeshje e vështirë", pohoi Gigs për "Daily Express". "Lioni është shpallur kampion i Francës në këto gjashtë vitet e fundit dhe ata kanë shumë përvojë në Ligën e Kampioneve. Megjithatë, mendoj se ka shumë rëndësi fakti që në këtë sezon jemi përgatitur shumë mirë për ndeshjet në kupat e Evropës. Gjatë edicionit të kaluar kemi luajtur vetëm me 13-14 lojtarë për shkak të dëmtimeve në muajt e fundit të sezonit. Shpresojmë që tashmë të kemi në dispozicion 20 lojtarë, gjë që do t‘i japë më shumë alternativa trajnerit dhe më shumë freski skuadrës. Duhet të keni parasysh se në skuadra si Milani, Interi, Barcelona apo Reali ka shumë lojtarë cilësorë, të cilët nuk arrijnë të qëndrojnë as në stol, por i shohin ndeshjet nga tribuna". Gigs është shprehur shumë i mahnitur nga ingranimi i shpejtë në Ligën e Kampioneve nga futbollistët që u afruan në skuadër gjatë verës. Ai vazhdoi: "Me sjelljen dhe temperamentin që kanë, lojtarët që u afruan në skuadër, si Hargrivs, Tevez, Anderson dhe Nani, i përshtaten shumë lojës evropiane. Nuk mendoj se do të kenë probleme gjatë aktivizimit në Champions, deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Duke konsideruar këtë, shpresojmë që gjatë këtij edicioni të shkojmë më larg se vitin e kaluar".

Me gjithë optimizmin që ekziston në radhët e Junajted, tekniku i Lionit, Alan Perrin, beson se skuadra e tij do të ketë shanse për të kaluar. Kjo, për vetë stilin e lojës së ekipeve britanike. Perrin e njeh disi Premiershipin, pasi ka qenë për tetë muaj trajneri i Portsmuthit (prill-nëntor 2005, një aventurë e dështuar ku në 21 ndeshje arriti vetëm 4 fitore). "Në dhjetë ndeshje kundër Mançesterit me siguri që në 6 apo 7 do të dilnim të humbur, por të tjerat do t‘i fitonim. Skuadrat angleze gjithmonë i japin shans kundërshtarëve të fitojnë", tha Perrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›