E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtet e këqija, të dënuarit e burgut të Shënkollit hyjnë në grevë urie

Të burgosurit në institucionin e vuajtjes së dënimit në Shënkoll të Lezhës kanë hyrë pak ditë më parë në një grevë urie. Lajmi u bë i ditur nga familjarë të të dënuarve, që janë përfshirë në këtë protestë dhe më pas është konfirmuar nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Dhjetëra të dënuar kanë protestuar lidhur me ushqimin që u jepet, pasi sipas tyre ai është i pamjaftueshëm dhe nuk ka cilësinë e duhur. Gjithashtu ata duket se kanë kërkuar edhe kushte më të mira të qelive dhe ambienteve të tjera të burgut. Gjithsesi, drejtuesit e Drejtorisë së Burgjeve kanë marrë kontakt me grevistët dhe situata duket se është vënë në udhën e zgjidhjes. Disa muaj më parë, qeveria shqiptare me një vendim të posaçëm miratoi strukturën e re ushqimore për personat që vuajnë dënimin në burgje dhe personat e paraburgosur. Me këtë vendim, bëhej një ndryshim i ndjeshëm në drejtim të shtimit të kalorive për të burgosurit nëpërmjet futjes në burgje të asortimenteve të reja si dhe shtimit të sasisë së ushqimit. Nuk dihet nëse të burgosurit e Shënkollit kanë pasur pakënaqësi për sasinë dhe cilësinë e ushqimit që sanksionohej në vendimin e fundit të qeverisë, apo për moszbatimin e këtyre kritereve të reja nga ana e drejtuesve të institucionit të riedukimit.

Ndërkaq një tjetër ngjarje e rëndë është arritur dje të ndalohet në kohë në burgun e Peqinit, duke shmangur rrezikun për jetën e një të burgosuri. Bledar Toma, i dënuar me 20 vjet heqje lirie, ka tentuar t‘i vërë zjarrin dhomës së tij, nëpërmjet një llambe me gaz. Por për fatin e tij të mirë punonjësit e shërbimit kanë ndërhyrë në kohë, duke shmangur tragjedinë. Burimet zyrtare që konfirmuan lajmin, thanë se ngjarja ka pasur si shkak transferimin e Tomës nga burgu i Burrelit në atë të Peqinit. I dënuari kishte qenë fillimisht në burgun e Burrelit, prej nga duket se është dhe me origjinë. Por autoritetet e burgut kanë konstatuar se siguria e tij në këtë vend ishte e rrezikuar, për shkak se në atë institucion ndodheshin edhe persona që janë në gjak me familjen e tij. Për këtë arsye është vendosur transferimi i tij në burgun e Peqinit, por kjo nuk i ka pëlqyer Tomës, i cili ka kundërshtuar, por vendimi i transferimit të tij nuk ka ndryshuar. Në këto kushte ai ka menduar të gjejë një rrugë më të ashpër për të protestuar dhe ka tentuar t‘i vërë flakën dhomës së tij dhe në këtë mënyrë edhe vetes. Ndërhyrja në kohë e punonjësve të shërbimit i ka shpëtuar atij jetën, por nuk dihet se si do të vijojë protesta e tij për t‘u kthyer në burgun e Burrelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›