Vëllai vret vëllain për një copë tokë
Beteja për tokën vazhdon të marrë jetë njerëzish në Shkodër, madje konfliktet për pronën po sjellin edhe krime brenda familjes. Vëllai ka qëlluar me breshëri plumbash vëllain, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shelqet, 30 km larg qytetit të Shkodrës, ku Sandër Ndoci, 46 vjeç, është qëlluar për vdekje me armë zjarri nga vëllai i tij, Nard Ndoci, 42 vjeç, pas një konflikti që kishin për tokën e përbashkët. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes ka qenë ora rreth 10:15 min, ku është parë viktima Sandër Ndoci duke punuar tokën rreth 500 m larg shtëpisë dhe në atë moment i ka ardhur vëllai i vogël, Nardi. Aty kanë nisur një debat, i cili është acaruar së tepërmi ku dy vëllezërit kanë filluar të përdorin fjalë fyese ndaj njëri-tjetrit. Pas debatit që ishte bërë në lidhje me pronësinë e tokës ku po punonte atë moment viktima Sandër Ndoci, kanë ndërhyrë për t‘i ndarë edhe njerëz të rastësishëm.
Duke parë se mes dy vëllezërve konflikti ishte acaruar, njëri nga fqinjët është afruar dhe ka ndërhyrë për t‘i ndarë dhe në atë moment është dukur se gjithçka është mbyllur. Por Nard Ndoci është larguar në banesën e tij, ku ka marrë armën e zjarrit automatik dhe është nisur në drejtim të vëllait. Pasi është afruar, ka filluar ta gjuajë që në distancë. Plumbat e parë e kanë goditur Sandër Ndocin në këmbë, më pas autori i ngjarjes është afruar dhe ka derdhur breshëri plumbash mbi vëllain, duke e lënë të vdekur në vend. Pas këtij veprimi, Nard Ndoci, me armën e krimit nw dorw, është futur brenda banesës. Pak çaste më pas, e gjithë banesa ka qenë e rrethuar nga forca të shumta policie dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë. Pas disa minutash forcat e policisë, kanë hyrë brenda banesës, ku kanë bërë të mundur të vënë arrestimin e 42-vjeçarit Nard Ndoci, i cili pak minuta më parë kishte vrarë vëllain. I arrestuari në momentin që policia ka hyrë në banesë nuk ka bërë asnjë rezistencë, por ka ngritur duart lart sapo forcat e FNSH-së kanë hyrë brenda. Në të njëjtën kohë policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit, një automatik tip kallashnikov dhe disa gëzhoja në vendin e ngjarjes. Burime të policisë pohuan për gazetën se policia nuk kishte pasur dijeni për konfliktin mes dy vëllezërve, megjithëse ata kishin kohë që kishin pasur mosmarrëveshje për çështje pronësie. Por konflikti asnjëherë nuk është bërë publik mes vëllezërve, duke e mbajtur të fshehtë mes njëri-tjetrit.
Problemet e pronësisë janë duke u bërë një burim tepër i madh konfliktesh të rënda në Qarkun e Shkodrës, ku tashmë krimi për pronën , jo pak herë po klasifikohet si brenda familjes, djali i xhaxhait vret djalin e xhaxhait dhe akoma më keq, vëllai vret vëllain.