E Diel, 1 Nëntor 2026

Fabregas zbulon ëndrrën "Eto‘o"

Çesk Fabregas ka pranuar se do t‘i pëlqente pa masë nëse Arsenali do të blinte sulmuesin e Barcelonës, Samuel Eto‘o. Pasi është shndërruar në një prej sulmuesve më të mirë në botë, interesimi i Premiershipit për kamerunasin ka qenë i madh. Fabregas është një prej "fansave" të Eto‘o dhe spanjolli nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur përkrah tij në "Emirates Stadium". "Nëse do të më pyesnin se cilin lojtar dëshiroj që të vijë tek Arsenali do të thosha Samuel Eto‘o", tha Fabregas për CNN. "Eto‘o është një sulmues i jashtëzakonshëm, ambicioz, vrapon, punon për skuadrën dhe shënon... një fitues i lindur. Do të më pëlqente pa masë ta kisha në skuadrën time". Sot "topçinjtë" do të luajnë kundër Milanit në takimin e parë të vlefshëm për 1/16 të Ligës së Kampioneve. Edhe pse skuadra e Ançelotit nuk është paraqitur në lartësinë e duhur në ndeshjet e kampionatit, Fabregas ka paralajmëruar shokët e skuadrës që të mos i nënvlerësojnë. "Nuk duhet t‘i nënvlerësojmë, pasi skuadrat si Milani të shkatërrojnë në një sekondë. Ata kanë lojtarë të mëdhenj si Pirlo dhe Kaka".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›