Arrestohet 20-vjeçari, gjatë kontrollit policor iu gjetën 40 gramë Cannabis sattiva
Tiranë – Një i ri u vu në pranga sepse pas një kontrolli policor rezultoi të mbante një sasi lënde narkotike. Burime policore i thanë gazetës “Albania” se dje u arrestua në flagrancë nga specialistët e seksionit Kundër Drogës Akil Ukcamaj, 20 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pas një kontrolli të uniformave blu në afërsi të ish-Uzinës së Autotraktorëve, ndërsa udhëtonte me dy qese farmaceutike të mbushura me bimë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva. Menjëherë pas kësaj agjentët antidrogë shkuan për kontroll në banesën e Ukcamajt, ku kanë sekuestruar 40 gramë bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva, e ndarë në 20 porcione si dhe një aparat. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Ishte dënuar me dy vjet burg për vjedhje, dërgohet në qeli
Tiranë – Erion Biraçit, edhe pse kishte probleme me Drejtësinë, nuk i ka shkuar në mendje se mund të arrestohej nga policia, ndaj lëvizte pa problemin më të vogël në kryeqytet. I sipërpërmenduri, një person në kërkim, u kap dje nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, pak pasi u bë i mundur identifikimi i tij. Erion Biraçi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë, u arrestua sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendim të datës 30 tetor 2007, e ka dënuar me 2 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal. Uniformat blu nuk kanë bërë gjë tjetër veçse ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Durrësit.
25 Shtator 2008