Drejtoria e Burgjeve akuzon Prokurorinë për lirimin me vonesë të të burgosurve
TIRANË - Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve fajëson Prokurorinë për vonesat në lirimin e të dënuarve nga burgu. Drejtoria e Burgjeve nënvijëzon faktin se sjellja jo në kohë e urdhrave për ekzekutimin e lirimit, jo në pak raste është shoqëruar me qëndrimin e të burgosurve në qeli për ditë të tëra.
Ndërkohë një tjetër shqetësim i ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është mosnjohja e ditëve të punës së dënuarve për efekt ulje dënimi. Drejtoria e Burgjeve dhe Avokati i Popullit i janë drejtuar me anë të një letre presidentit ku kërkojnë shfuqizimin e nenit, i cili nuk u njeh të dënuarve ditët e punës për efekt ulje dënimi. Vetëm 3 ditë më parë Avokati i Popullit i kërkoi Ina Ramës nisjen e hetimit ndaj 2 prokurorëve që harruan për 75 ditë një të dënuar në qeli.
25 Shtator 2008