E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet kreu i piramidës “Populli”, ishte fshehur në Uruguai

Bashkim Driza u arratis nga burgu më 1997-n dhe jetonte në Amerikën e Jugut. Ai do të kryejë dënimin prej 16 vjetësh për mashtrimin e 304 240 kreditorëve, në shumën 870 milionë lekë

Luan Kondi

Tiranë – Bashkim Driza, i njohur si krijuesi i fondacionit “Populli”, kishte shkuar shumë larg, deri në Amerikën e Jugut, për t’i shpëtuar ndëshkimit të Drejtësisë shqiptare, por edhe pse me vonesë ai ka përfunduar në pranga. Driza, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, u vu dy ditë më parë në pranga nga Policia e Uruguait pas kërkesës së Interpol Tiranës, pasi për të ka një vendim gjykate nëpërmjet të cilit ai duhet të vuajë plot 16 vjet burg për veprën penale të “mashtrimit në bashkëpunim”.
Arrestimi
Driza u vu në pranga në Uruguai teksa po tentonte të dilte nga ky shtet me destinacion Republikën Dominikane. Autoritetet e policive të disa vendeve të Amerikës Latine e kishin informuar Interpolin shqiptar se Bashkim Driza ishte i pajisur me pasaportë uruguaiane dhe dominikane, dhe kishte udhëtuar disa herë nga Uruguai dhe Kili për në Republikën Dominikane dhe anasjelltas. Në njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit thuhet se Interpol Tirana u njoftua tri ditë më parë nga Policia uruguaiane se Bashkim Driza ishte arrestuar në Montevideo dhe se aktualisht ndodhet në arrest shtëpie. Autoritetet uruguaiane kanë kërkuar dërgimin e dokumenteve në rrugë diplomatike. Menjëherë pas kësaj u njoftua Ministria e Drejtësisë për të bërë të mundur dërgimin e dokumentacionit në rrugë diplomatike pranë autoriteteve uruguaiane, për ndjekjen në vazhdimësi të procedurave për ekstradimin e shtetasit Bashkim Driza, i cili gjatë viteve 1996-1997, në bashkëpunim me persona të tjerë, krijoi fondacionin “Populli” dhe përmes kësaj veprimtarie mashtroi 304 240 shtetas, në shumën 870 milionë lekë.
Fondacioni “Populli”
Fondacioni “Populli” e filloi veprimtarinë në prill të vitit 1996, ndërsa krijimi i tij u ligjërua nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë më 16 korrik 1996. Kjo gjykatë firmosi edhe urdhrin e bllokimit të aktivitetit të këtij fondacioni më 6 shkurt 1997 dhe mbas kësaj date filluan menjëherë hetimet. Bashkim Driza, Nuri Driza, Adem Qepeni janë personat mbi
të cilët u ngritën akuzat për vjedhjes me anë të mashtrimit.
Bashkim Driza ka drejtuar firmën “Populli”, u arrestua në vitin 1997, u dënua me 16 vjet burg në vitin 2002. Driza përfitoi në vitin 1997 për t’u arratisur nga burgu në drejtim të kontinentit amerikan. Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Drizës, Policia shqiptare ka mbajtur korrespondencë e vazhdueshme me Interpol Santiagon në Kili, Interpol Montevideon në Uruguai dhe Interpol Santo Domingon, Republika Dominikane, pasi i kërkuari njihej nga ana e tyre. Pritet që të përfundojnë në kohë procedurat e ekstradimit që themeluesi i firmës piramidale “Populli”, që mashtroi para 11 vjetësh mijëra shtetas shqiptarë, të vuajë dënimin në burgjet shqiptare. Nuk dihen ende motivet pse Driza kishte zgjedhur të këtë pjesë të globit për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit.

Dënimet për ish-bosët e piramidave

Vehbi Alimuça - Në mars 2001 Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 25 vjet, në dhjetor të po të njëjtit vit Gjykata e Apelit jep 20 vjet burg

Shemsie Kadria - Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë jep 17 vjet burg, në qershor 2001 Gjykata e Apelit e lë në fuqi

Fitim Gërxhalliu - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg, në qershor të po atij viti Gjykata e Apelit 11 vjet burg

Gani Kadria - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg, Gjykata e Apelit 10 vjet burg

Maksude Kadena - Në shkurt 2001 Gjykata e Shkallës së Parë jep 5 vjet burg

Bashkim Driza - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së parë e dënon me 16 vjet burg

Adem Qepeni - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 12 vjet burg

Ferdinand Kamberi - Në muajin nëntor 2002, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 18 vjet burg

Mustafa Leka - Në vitin 2002 Gjykata e Shkallës së Parë jep 20 vjet burg

Lefter Cenaj - Në shkurt 2003 Gjykata e Shkallës së Parë jep 10 vjet burg

Shoqëritë që u kthyen në piramida

Shoqëria “M. Leka”, Mustafa Leka

Shoqëria “Silva”, Pëllumb Shehu

Shoqëria “Global Foods”, Gani Shehu

Shoqëria “Cenaj & Co”, Lefter Cenaj

Shoqëria “Kamberi sh.p.k.”, Ferdinand Kamberi

Shoqëria “VEFA Holding”, Vehbi Alimuçaj

Shoqëria “Gjallica”, Shemsie e Gani Kadria, Fitim Gërxhalliu

Shoqëria “Populli”, Bashkim Driza, Adem Qepeni

Shoqëria “Xhaferri”, Rrapush, Liman dhe Asllan Xhaferri

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›